Dukuria kur elitat vendase punojnë për t’u shërbyer fuqive të mëdha konsiderohet tipike ballkanike, por antropologu bullgar, Ivajlo Ditchev, vëren se kjo po përhapet në të gjithë Evropën.
Rajoni i Ballkanit është bërë sinonim i grindjeve dhe përçarjeve të pafundme. Kombet e reja dolën nga Perandoria Osmane dhe Austro-Hungaria falë ndërhyrjes së fuqive të jashtme. Si rezultat, ata vuajtën jo vetëm nga zhvillimi më i ulët ekonomik dhe social, por edhe nga mungesa e elitave të vërteta, elitave të përligjura. Politikanët e këtyre vendeve rrallë përfaqësonin interesat e popujve të tyre, në të shumtën e herëve ata vinin “prej askundi” dhe përpiqeshin të konsolidonin pozitën e tyre në vendet përkatëse.
Burimi i tyre kryesor ishte përkrahja që ata merrnin nga fuqitë e mëdha. Në këtë kontekst, rumunët ishin mbrojtësit e interesave të Francës në rajon, serbët dhe bullgarët konkurronin për dashurinë e “Nënës Rusi”, grekët dhe turqit i kishin varur shpresat te Britania e Madhe, kroatët dhe boshnjakët te Austria. Në fund të Luftës së Ftohtë, rajoni kishte ndoshta përqendrimin më të lartë të kufijve për kilometër katror: midis NATO-s në jug dhe Paktit të Varshavës në veri, midis Jugosllavisë pa bllok, Greqisë që ishte anëtare e BE-së dhe vendeve të Evropës Lindore të COMECON (Këshilli për Ndihmën Ekonomike Reciproke), midis Bullgarisë pro-ruse dhe Rumanisë së Çausheskut, e cila ishte distancuar nga Bashkimi Sovjetik.
Shqipëria madje njëherë u bë edhe “kliente” e Kinës së largët deri sa më vonë arriti në përfundimin se lideri kinez, Deng Ksiaoping, sikurse edhe Nikita Hrushovi, e kishte tradhtuar komunizmin. Si rezultat, Shqipëria vendosi të qëndronte e vetme kundër pjesës tjetër të botës. Konfliktet ndërmjet “sponsorëve” gjeopolitikë – të mbartura në këto nivele miniaturash – çuan në tensione rajonale dhe madje edhe luftëra. Cili ishte funksioni i një fragmentimi të tillë absurd që e pengoi rajonin të bëhej një hapësirë përbashkët ekonomike e begatë? Ai i jepte përligjje politike elitave lokale që luftonin njëra-tjetrën.
Përkrahja e fuqive globale më e paqëndrueshme sesa në Luftën e Ftohtë
Le ta shohim BE-në e sotme nga kjo perspektivë. Debatet midis Të Majtës dhe Të Djathtës, midis konservatorëve dhe liberalëve, duket se kanë dalë në plan të dytë, për shkak të përplasjes së koordinatave gjeopolitike globale. Elitat kombëtare kanë filluar të orientohen te fuqitë globale, sikurse në rastin e Ballkanit, në shekullin e njëzetë. Por sot mbështetja e tyre është e paqëndrueshme dhe e ndryshueshme – ndryshe nga epoka e Luftës së Ftohtë.
Distancimi nga Evropa i SHBA-së nën udhëheqjen e Obamës është kthyer tani, në kohën e Trump-it, në një refuzim të hapur. Kjo e ka detyruar Francën dhe Gjermaninë të bëjnë plane për autonomi të Evropës në fushën e sigurisë. Të tjerë, si Polonia, qëndrojnë të vendosur pas Shteteve të Bashkuara. Falë mbështetjes amerikane, Varshava ndihet edhe më e fortë në pozitën e saj anti-evropiane, për të cilën Komisioni i BE-së ka nisur një procedurë sanksionesh sipas nenit 7.
Vizita e Presidentit të SHBA-së në Varshavë ishte padyshim edhe një shpërblim simbolik për populistët polakë. Kështu, një fuqi botërore përfshihet në konflikte brenda BE-së, që ka çuar në një seri ndarjesh të brendshme. Një shembull për këtë është projekti i Steve Bannon-it për të mobilizuar një “internacionale” kundër BE-së, mbi bazën e ideologjisë amerikane të së djathtës alternative (Alt-Right).
Flirtim i hapur me perandorinë e Putinit
Edhe më tronditëse është flirtimi i hapur me mbretërinë e Putinit. Nga Italia në Estoni, partitë e djathta populiste dhe ekstremiste rivalizojnë me BE-në duke shfaqur haptazi afërsinë e tyre të veçanta me Moskën. Nga Bullgaria në Letoni, ish-komunistët marrin e japin me miqësi dhe nostalgji komuniste. Disa kundërshtojnë sanksionet e vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë, të tjerë shpresojnë të përfitojnë gaz me çmim të ulët ose të ndërtojnë centrale bërthamore. Për të tjerë, si liderja e së djathtës franceze, Marine Le Pen, si Matteo Salvini në Itali ose Volen Siderov në Bullgari, ndihma financiare nga Moska është tashmë e dëshmuar.
Ombrellat amerikane dhe ruse ngjasojnë me njëra-tjetrën në disa pika, por nuk janë njësoj. Për shembull, do të ishte e vështirë të imagjinohej që populistët polakë të mbështesnin Putinin apo që socialistët bullgarë të mbështesnin Trump-in, megjithëse partitë përkatëse kanë ideologji të ngjashme ksenofobike, konservatore dhe proteksioniste. Por të gjitha “klientelat” politike të fuqive të mëdha kanë një gjë të përbashkët: Në përpjekjet e tyre për të dalë fitues ndaj rivalëve të tyre evropianë, ata mbështeten nga një “sponsor” i huaj. Kjo është pikërisht ajo që vendet e Ballkanit kanë bërë për më shumë se një shekull.
Aleatë të fortë në luftën kundër “euroburokracisë”
Lojtari i ri “global” është Kina. Kjo fuqi në rritje po depërton në Zonën Ekonomike Evropiane – jo vetëm përmes mallrave me çmim të ulët që shtyjnë prodhuesit vendorë nga tregu, por edhe nëpërmjet investimeve agresive të subvencionuara nga shteti. Kulmi i tyre është projekti faraonik i Rrugës së Re të Mëndafshit. Komisioni i BE-së po përpiqet ta mbajë nën kontroll përhapjen e gjigantit aziatik, duke hartuar disa masa që duhet të zbatohen nga të gjitha shtetet anëtare, por më kot: dakordimi në këtë pikë duket më larg se kurrë.
Rruga e Mëndafshit në Itali
Para ca kohësh Italia vendosi t’i bashkohet iniciativës “Belt-and-Road” – duke dalë kështu kundër Komisionit të BE-së. Më parë, Greqia ia kishte shitur Kinës disa asete të rëndësishme, ndërsa Evropa Lindore është e prirë të ndjekë shembullin e Greqisë. A është kjo vetëm një çështje e pragmatizmit ekonomik? Apo mos vallë politikanët evropianë po përpiqen të kompensojnë legjitimitetin e tyre duke gjetur aleatë të fortë në luftën heroike kundër “euroburokracisë”? Evropa dikur ishte qendra e forcës në botë. Mjerisht, sot ajo është e përçarë midis fuqive rivalizuese dhe protezhuese. Dhe ne e dimë nga historia se ku të çon ky lloj “ballkanizimi”.-DW
- Ivaylo Ditçev është një antropolog kulture nga Bullgaria, aktualisht ai është profesor i ftuar në Universitetin e Regensburgut.