Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ku u prit nga zëvendëskryeministri Ervin Ibrahimović, njëkohësisht edhe ministër i Investimeve Kapitale, në qeverinë e Malit të Zi.
Ministrja Balluku bëri të ditur se, gjatë takimit u diskutua për projekte të përbashkëta që lidhen kryesisht me energjinë dhe infrastrukturën rrugore.
“Disktutuam për planet për gazifikimin e të dy vendeve, që mund të bashkohen në një projekt më të madh, por sigurisht, duke rivitalizuar projektin Adriatiko-Jonian, një nga projektet më të rëndësishme që do të kemi në të ardhmen. Jemi angazhuar të dy qeveritë, por edhe partnerë të tjerë të këtij projekti, si Kroacia apo Bosnjë-Hercegovina, për të nisur nga puna menjëherë“, tha Balluku.
Ministrja Balluku theksoi se u diskutua edhe rreth projektit të termocentralit të Vlorës, si dhe një projekti të njëjtë në Bari.
“Kompanitë që kanë firmosur tashmë me qeverinë shqiptare për TEC-in e Vlorës, mund të furnizojnë edhe atë të Barit, duke e bërë çmimin e prodhimit për megavat-orë më të ulët”, sqaroi ministrja.
“Energjia është kthyer në një nga armët më të rëndësishme gjeopolitike pas invazionit rus në Ukrainë, dhe zgjidhja për të pasur energji elektrike është domosdoshmëri. Kemi diskutuar gjithashtu edhe për projektet e së ardhmes në infrastrukturë, që lidhen me Korridorin Adriatiko-Jonian, apo hekurudhën që lidh dy vendet tona, të cilat do të mbështeten nga Bashkimi Europian”, tha Balluku.
Po ashtu, ministrja informoi se në takim u diskutua edhe rreth projektit për ndërtimin e urës mbi lumin Bunë, që lidh Velipojën me Ulqinin, e që shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat, nga 17 km aktualisht, në 500 m, duke lehtësuar lëvizjen e shtetasve nga të dy anët.
Zëvendëskryeministri, Ervin Ibrahimović, njëkohësisht edhe ministër i Investimeve Kapitale në qeverinë e Malit të Zi, deklaroi se jo vetëm gazsjellësi Adriatiko-Jonian, por edhe Korridori Blu dhe projektet për LNG janë me interes të përbashkët.
“Në kohën kur ndodhi agresioni rus në Ukrainë, u duk qartë se varësia energjetike paraqet sfidë të madhe si për vendet e vogla, dhe për ato të mëdhatë. Patëm bisedë konstruktive si të përparojmë bashkëpunimin, si e vetmja mënyrë për të përballuar sfidat që dalin para nesh. Një nga temat kryesore ishte gazjellësi Adriatiko-Jonian. Treguam gadishmërinë për të përqendruar bashkëpunimin në këtë fushë, ku sa më shpejt do bëjmë një hap cilësor për t’u kthyer edhe në një urë që ky gazjellës të shkojë deri te vendet e Evropës Perëndimore”, tha Ibrahimović.
Po ashtu, zv/kryeministri informoi se u diskutua edhe sa i takon transportit rrugor.
“Mali i Zi kryeson komunitetin e transportit, një hapësirë përmes së cilës kemi synuar të lidhim edhe më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor, e më tej edhe me vendet e Evropës Perëndimore”, tha ai.