Shqipëria do të rrisë investimet në infrastrukturën rrugore dhe zbatimin e metodave inovative të identifikuara në praktikat ndërkombëtare për parandalimin e aksidenteve në rrugë, duke iu bashkuar angazhimit për uljen me 50% të aksidenteve rrugore në vitin 2030.
Kështu u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, në Konferencën e Nivelit të Lartë “Siguria Rrugore 2020” që u zhvillua sot në Tiranë.
“Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka renditur sigurinë rrugore si një nga prioritetet globale për zgjidhje, njësoj si zhdukja e varfërisë, të drejtat e njeriut dhe ndryshimet klimaterike. Shifrat botërore tregojnë se në vit arrin në 1.35 milionë numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore. Asnjë luftë asnjë sëmundje nuk krijon 3700 jetë të humbura në ditë, nga aksidentet rrugore”, – tha Balluku.
“Në kuadër të kësaj konference dhe bashkëpunimit të gjerë që kemi nisur për sigurinë rrugore, do të rrisin sensibilizimin e popullatës për rritjen e kujdesit ndaj aksidenteve rrugore. Organizata Botërore e Shëndetit, parashikon që dëmtimet nga aksidentet rrugore do të jenë shkaku i 5-të më i zakonshëm i vdekjeve globale në vitin në vijim”, – theksoi ministrja.
Sipas saj, viti 2030 është vendosur si një pikë për të arritur disa nga objektivat për rritjen e sigurisë rrugore në këtë 10-vjeçar.
“Për të zvogëluar aksidentet në rrugë ne na duhet një transformim në mentalitet fillimisht. kemi nevojë të evoluojmë në një epokë të re e cila është bazuar mbi sigurinë, çka do të thotë që siguria është një vlerë e panegociueshme”, – tha Balluku.
Ajo solli në vëmendje respektimin e kushteve të sigurisë maksimale në linjat e trafikut ajror, duke kërkuar që ky model të zbatohet e dhe në transportin rrugor që është edhe më i aksesueshëm nga qytetarët.
Balluku tha se “komuniteti global është angazhuar me të gjitha forcat për sigurinë rrugore. Në ministralin botëror që u organizua pak ditë më parë për sigurinë rrugore, me pjesëmarrjen e 80 shteteve, Shqipëria mori angazhimin për të rritur investimet në infrastrukturë dhe zbatimin e metodave inovative të identifikuara në praktikat ndërkombëtare për parandalimin e aksidenteve në rrugë.
Rritja e sigurisë rrugore është prioritet i qeverisës tonë. Në 6 vitet e fundit është rritur me 52% numri i automjeteve. Numri i aksidenteve është reduktuar me 28%. Projekti për sigurinë rrugore me BB po punon intensivisht për rivitalizimin e sinjalistikës dhe pikave të zeza rrugore, duke përmirësuar cilësisë e qarkullimit rrugor.
Gjatë 2019 janë regjistruar 3,8% e aksidenteve rrugore në akset kryesore ndërsa 35% e tyre në rrugët dytësore, ndërsa në 70% të këtyre rasteve janë identifikuar si pasojë e gabimit të këmbësorëve.
Balluku theksoi se, “ARRSH dhe DPSHTRR po bashkëpunojnë përmes projekteve të ndryshme për rritjen e sensibilizimit të qytetarëve për rritjen e sigurisë rrugore, ndërsa janë marrë reforma në forcimin e masave në marrjen e lejeve të drejtimit. Ky është viti i sigurisë rrugore për të arritur objektivat tona kombëtare dhe globale, duke krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë”