Në Maqedoni sot do të zhvillohet balotazhi për zgjedhjen e presidentit të vendit ku në garë janë kandidati i LSDM dhe partive të koalicionit, Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska- Davkova.
Të drejtë vote do të kenë 1.808.131 votues, të cilët do të votojnë në 3480 vendvotime në 80 komuna, të cilat do të happen në ora 7.00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në mbrëmje në ora 19.00. Për president do të zgjidhet ai kandidat që do të fitojë shumicën e votave, me kushtin që në votime të dalin mbi 40% e trupit votues apo 723.253 votues, përcjellë INA.
Në raundin e parë jehona e votuesve ishte 41,8%. Në rast se nuk arrihet censusi, atëherë sipas Kushtetutës do të organizohen zgjedhje të reja presidenciale. Gara në raundin e parë ishte e ngushtë, pasi që Pendarovski fitoi me një epërsi prej vetëm 4.528 vota.
Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale nga pavarësimi i vendit në vitin 1991 dhe të parat me emrin e ri Maqedonia e Veriut.