Anija e mallrave u përplas me urën “Francis Scott Key”, me katër korsi makinash, në portin e qytetit Baltimorë, duke shkaktuar shembjen e saj dhe rënien e makinave dhe njerëzve në ujërat e ftohta të lumit. Incidenti ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit.
Ekipet e shpëtimit nxorën dy të mbijetuar, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa vazhdojnë operacionet e shpëtimit në lumin Patapsco poshtë urës së shembur rreth 2.5 kilometra e gjatë.
Sipas kanali televiziv ABC News, ekuipazhi i anijes kishte njoftuar autoritetet e Merilendit se kishte humbur kontrollin e anijes gjigande të mallrave pasi motori kishte pësuar avari, ndërsa po dilte nga porti.
Zyrtarët e qytetit Baltimorë thanë se të paktën 7 automjete kishin rënë në ujë por nuk mund të ofronin një shifër të saktë. Sekretari i Transportit të shtetit, Paul Weidefeld, tha për shtypin se përplasja e anijes kishte shkaktuar shembjen katastrofike të urës. Ai tha se përveç makinave të udhëtarëve, në urë kishte edhe punëtorë që punonin për mirëmbajtjen.
“Rreth orës 1:30 të mëngjesit, një anije mallrash që po dilte nga porti i Baltimorës goditi urën ‘Francis Scott Key’, duke shkaktuar shembjen e saj. Ekipet e ndërhyrjes së shpejtë reaguan menjëherë. Aktualisht po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”.
Guvernatori i Merilendit, Wes Moore, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të aktivizuar burimet federale në lidhje me fatkeqësinë. Zyra e Byrosë Federale të Hetimeve në Baltimorë shkroi në rrjetin X se punonjësit e FBI-së ndodheshin në skenën e ngjarjes. Policia e qytetit tha se aktualisht nuk kishte të dhëna për ndonjë akt terrorizmi.
Inxhinieri i urave Julian Carter tha se shembja e urës në Baltimorë ishte për shkak të strukturës së saj të veçantë, të ndërlidhur dhe dobësive në disa pika. Çdo segment i urës sipas tij, është i lidhur me një segment tjetër në pika të veçanta mbi këmbët e urës.
“Po ta shikosh mënyrën se si u shemb ura, është ajo që ne e quajmë një strukturë të vazhdueshme. Çdo pjesë e vogël është e lidhur me një pjesë tjetër. Për fat të keq është një shembje katastrofike”.
Anija e mallrave Dali, që u përplas me urën, lundronte nën flamurin e Singaporit. Zyrtarët e kompanisë që menaxhon anijen thanë se ajo u përplas me një nga këmbët mbajtëse të urës dhe se ekuipazhi dhe dy kapitenët e saj nuk kishin pësuar lëndime.
Fatkeqësia e së martës në shtetin e Merilendit mund të jetë rasti më i rëndë i incidenteve në ura që nga viti 2007, kur shembja e një ure mbi Lumin Misisipi shkaktoi vdekjen e 13 individëve.
E përuruar në vitin 1977, ura “Francis Scott Key” me katër korsi qëndronte 56 metra mbi lumë. Baltimora është porti më i ngarkuar në Shtetet e Bashkuara për import-eksportin e makinave. Sipas autoriteteve në vitin 2022, në këtë port janë përpunuar më shumë se 750,000 automjete.
Ura e gjatë 2,5 kilometra sherbente si nyje lidhëse me autostradat ndërshtetërore përreth qytetit Baltimorë, një nga portet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Ura mori emrin e Francis Scott Key, autorit të tekstit të himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Shkrimtari Key u frymëzua për të shkruar poezinë pasi ishte dëshitar bombardimit britanik të një fortese të madhe ushtarake amerikane në Baltimorë, në vitin 1814./VOA