Eksperti i Marrëdhënieve Ballkanike, Enver Bytyçi, është shprehur se ajo që ndodhi në Banjskë të Zveçanit në 24 shtator të vitit të kaluar, është e ngjashme me Luftën e Vlorës të vitit 1920, i cila i dha fund konceptit të ndarjes së Shqipërisë.
Komentet Bytyçi i bëri në emisionin ‘Balkan Talks’ me gazetarin Franko Egro në Euronews Albania, ku tha se përplasjet e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë i dhanë fund konceptit të ndarjes së Kosovës.
Sipas Bytyçit, faktori ndërkombëtar dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç kanë kuptuar se shqiptarët janë të gatshëm të luftojnë me çdo çmim për mbrojtjen e veriut të Kosovës.
“Nëse Shqipërisë i kërcënoheshin kufijtë e jugut në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1920, lufta e Vlorës i dha fund konceptit të ndarjes së Shqipërisë. Nëse deri më 24 shtator të vitit të kaluar bota po mërmëriste nëpër dhëmbë që edhe ‘mund ta ndajmë Kosovën dhe ta kënaqim Vuçiç me një copë territor të Kosovës me pasuritë e saj’, në 24 shtator ka marrë fund kjo ide.
Më 24 shtator e deri më sot ka një rëndësi shumë të madhe sepse është krijuar koncepti dhe bindja te faktori ndërkombëtar dhe Vuçiç se shqiptarët në Kosovë janë të vendosur ta mbrojnë me çdo çmim territorin. Ata thonë kemi të bëjmë me një lojtar serioz, që nuk tërhiqet”, tha Bytyçi.
/Argumentum.al