Shqipëria duhet t’u japë përparësi politikave në pesë sektorë kyçë nëse kërkon që të përmbushë objektivat e saj strategjikë. Banka Botërore, në një raport diagnostikues të ekonomisë, sjell në vëmendje se këto objektiva janë: përfshija në ekonominë globale, bërja e qeverisjes lokale më efektive, si dhe përfshirja më e gjerë ekonomike dhe sociale. Por cilët janë në fakt sektorët që çojnë drejt realizimit të këtyre objektivave. Së pari, nxitja e tregjeve konkurruese. Ulja e barrierave jotarifore, lufta kundër korrupsionit, ulja e pasigurive ligjore, informalitetit, nxitja e “know how” (njohurive të thelluara, eksperiencë) do të rrisnin konkurrencën që biznesi shqiptar ka nevojë për t’u bërë pjesë e Zinxhirit Global të Vlerës. BB vlerëson po ashtu që kjo do të forconte lidhjen me prodhuesit vendas.
Fusha e dytë është përmirësimi i investimeve efikase në kapitalin njerëzor. “Duke nisur që nga fëmijëria e përgjatë ciklit të jetës, investimet në kapitalin njerëzor kanë nevojë të jenë më të mëdha dhe më eficiente. Në edukim, investimet më të mëdha në mësimdhënie dhe vlerësim janë prioritet, së bashku me financimin mbi bazë të rezultatit final dhe shërbimeve shëndetësore, qw kanw nevojë për t’u mbështetur më shumë në shërbimin ditor dhe ambulator, ndërkohë që zbatohet masterplani për spitalet. Rritja e vëmendjes për burime njerëzore në fusha ku ka mungesa të theksuara është prioritet” nënvizon Banka.
Një tjetër fushë është përmirësimi i infrastrukturës, elasticitetit ndaj katastrofave dhe diversifikimit të energjisë. Për të përshpejtuar procesin drejt arritjes së standardeve të Bashkimit Europian, raporti verën se Shqipëria ka nevojë që të vijojë me investimet në infrastrukturë (sidomos mirëmbajtje) si dhe ndërlidhjen dixhitale për të rritur fluksin e mallrave, njerëzve dhe informacionit brenda dhe ndërmjet kufijve. “Në të njëjtën kohë, humbjet vjetore në infrastrukturë nga përmbytjet e përsëritura dhe ato të shkaktuara nga tërmetet si ato të vitit 2019 ngrenë si detyrë dhënien e përparësisë për investime në infrastrukturë që janë elastike ndaj katastrofave” vlerëson BB. Sa i takon energjisë, vihet theksi te diversifikimi.
Fusha e katërt është forcimi i kapaciteteve të qeverisë vendore për të rritur të ardhurat dhe dhënien e shërbimeve. Për të zvogëluar pabarazinë mes shërbimeve dhe mundësive është e rëndësishme që të rritet kapaciteti i qeverisjes lokale në të gjithë nivelet, përfshirë përgjegjësinë e tyre ndaj komuniteteve. Furnizimi i taksimit, transfertave nga qeverisja qendrore e kushtëzuar mbi rezultate koordinimi ndërbashkiak dhe rregullimi i kompetencave mbi burimet lokale do të ndihmonte për forcimin e dhënies së shërbimeve nga pushteti vendor” – nënvizon raporti.
Fusha e pestë është forcimi i efikasitetit të rishpërndarjes nga shteti.
Kjo do të thotë se Shqipëria duhet të forcojë një model gjithëpërfshirës të rritjes. “Integrimi i ndihmës sociale dhe shërbimeve të ndërmjetësimit të punës është thelbësore për të siguruar që njerëzit që preken më shumë, të kenë qasje më të madhe ndaj mundësive për të ardhura, për t’i rritur ato drejt klasës së mesme, si dhe të sigurohet një mbrojtje më e mirë më vonë gjatë jetës së tyre.
Një kalim më i butë nga shkolla në punë do të ndihmojë të rinjtë të zvogëlojnë rreziqet e papunësisë dhe pasivitetit. Në fund, ulja e informalitetit përmes rritjes së ndërgjegjësimit për pagesën e taksave është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të siguruar një shoqëri më të barabartë, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse taksimi dhe sistemi i rishpërndarjes janë transparentë dhe llogaridhënës” vlerëson BB.