Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 2.75%, për të dytën mbledhje radhazi.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se, “ky vendim vjen për faktin se të dhënat e muajve të fundit dhe kryesisht ato të lidhura me inflacionin kanë rezultuar më të mira se pritshmëritë e bankës qendrore”.
Sipas tij, “informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë, përgjithësisht, më i mirë se pritjet tona. Inflacioni shënoi rënie në muajt nëntor e dhjetor, aktiviteti ekonomik vijoi të rritet në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa efekti i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet më i plotë në tregjet financiare”.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%, normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75% dhe normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%.
Sejko tha se, presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Gjithashtu, ai theksoi se, bazuar në informacionin aktual, normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit të politikës monetare mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve.
“Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes situatën për të vlerësuar në vazhdimësi ecurinë e presioneve inflacioniste dhe për të identifikuar në kohë masat e nevojshme për arritjen e objektivit”, deklaroi Sejko.