Pas uljes së normës bazë të interesit në 0,5% dhe heqjes së kufizimeve për likuiditet, Banka e Shqipërisë lajmëron se do të aplikohet politika monetare e jashtëzakonshme, duke injektuar para direkt prej blerjes së borxhit të qeverisë. Si funksionon plani “lehtësimi Sasior-Quantitative Easing”, efekti në kredidhënie dhe përvojat e mëparshme
Ekonomia shqiptare ishte e brishtë edhe pa emergjencën që ka krijuar pandemia e virusit COVID-19, ndaj ndërhyrjet nëpërmjet instrumenteve monetare dhe atyre fiskale duket se mbeten të kufizuara për t’u dhënë kompanive dhe qytetarëve mbijetesën në këto ditë të vështira. Gjithsesi, Ministria e Financave dhe Banka Qendrore kanë përgatitur disa skenarë, të cilët do të aplikohen me përshkallëzimin e situatës, që janë të jashtëzakonshëm në këtë periudhë të jashtëzakonshme.
Por planet e ndërhyrjeve po “notojnë” në errësirë, përderisa ende nuk ka një përgjigje nga shkenca se sa do të zgjasë epidemia. Skenarët janë hartuar, duke pasur parasysh një përkeqësim të situatës. Banka e Shqipërisë sqaroi se për momentin, ka dy paketa ndërhyrje, njëra prej të cilave po aplikohet dhe tjetra do të aplikohet në agravim të situatës.
Paketa në veprim konsistoi në uljen bazë të normës së interesit në 0,5%, nga 1% që ishte më parë dhe heqjen e kufizimeve mbi likuiditet në sistemin bankar dhe aktorët e tjerë ekonomikë. Në një periudhë të mëvonshme, Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se do të përdorë instrumentin “Quantitative Easing”, apo lehtësimi sasior.
Lehtësimi sasior është një politikë monetare, me anë të së cilës një bankë qendrore blen shuma të paracaktuara të bonove qeveritare që të injektojë para direkt në ekonomi. Banka e Shqipërisë sqaroi se blerja e obligacioneve qeveritare afatshkurtra synon mbajtjen e normave të interesit ndërbankar në një nivel të caktuar.