Për të bërë të mundur këtë nevojitet që, të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken ekonomikisht dhe financiarisht nga kjo situatë, dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të kontaktojnë me institucionin financiar (bankë, jobankë, shoqëri kursim-krediti) me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit dhe të informojnë këta të fundit mbi këtë kërkesë.
Më pas, do të jetë institucioni financiar (banka, jobanka, shoqëria e kursim-kredititi) i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë edhe zgjidhjen përkatëse, sqaron banka.
Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione, thotë banka në njoftim.
Në njoftim thuhet:
Fillimi i kësaj jave, me evidentimin e rasteve të para të infektuara nga virusi COVID-19, shtron para nesh (pra, të gjithë aktorëve të tregut financiar, përfshirë edhe mbikëqyrësit), nevojën për marrjen e masave të shpejta dhe në kohën e duhur, për të përmbajtur dhe minimizuar efektet e mundshme negative, jo vetëm për shëndetin dhe mirëqenien e publikut, por edhe për qarkullimin e flukseve të mallrave dhe atyre monetare në mjedisin ekonomik.
Vendimi i qeverisë për pezullimin e mësimit në institucionet arsimore, masat për shmangien e grumbullimeve të njerëzve, rekomandimet për të punuar nga shtëpia, ndërprerja e një sërë aktivitetesh tregtare, masat e shtuara të kujdesit që duhet të aplikohen masivisht, etj., padyshim që do të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe gjenerimin e të ardhurave në nivele më të ulëta se parashikimet.
Për këto arsye, në mbledhjen e datës 12 mars 2020, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi shtimin e një dispozite të përkohshme në rregulloret e administrimit të rrezikut të kredisë për bankat dhe të administrimit të rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka dhe të shoqërive të kursim-kreditit, e cila synon t’u krijojë lehtësi këtyre subjekteve, që në rastet e paaftësisë paguese e kredimarrësve gjatë periudhës tremujore, këto institucione të mos jenë subjekt i zbatimit të kërkesave të këtyre rregulloreve që lidhen me klasifikimin dhe krijimin e fondeve për provigjione.
Ky vendim i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë merr në konsideratë faktin se nisur nga situata e krijuar, ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike apo pamundësia e lëvizjes së individëve, mund të përcjellë pasoja edhe në aftësinë paguese të tyre, duke krijuar vështirësi për shlyerjen e detyrimeve sidomos gjatë periudhës vijuese 3-mujore, kur pritet që shpërndarja e virusit të arrijë pikun e vet.
Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur që bankat dhe institucionet e tjera financiare të sipërpërmendura të akomodojnë nevojat e klientëve për një riskedulim të kësteve të kredisë, duke mos i ngarkuar ata me penalitete apo me përkeqësim të statusit të kredimarrësit, duke qenë se mospagimi i kredisë ka ardhur si pasojë e kushteve të vështira të këtyre ditëve jashtë kontrollit të tyre.
Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë hyjnë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020. Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3-muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti. Në këtë pikë, theksojmë se ky është një proces që bën të mundur vetëm riskedulimin e detyrimeve qe këta kredimarrës kanë, por jo falje të tyre.
Për të bërë të mundur këtë nevojitet që, të gjithë ata kredimarrës, biznese dhe individë, të cilët preken ekonomikisht dhe financiarisht nga kjo situatë, dhe që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo lehtësi e ofruar, të kontaktojnë me institucionin financiar (bankë, jobankë, shoqëri kursim-krediti) me të cilin kanë marrëdhënien e kreditimit dhe të informojnë këta të fundit mbi këtë kërkesë.
Më pas, do të jetë institucioni financiar (banka, jobanka, shoqëria e kursim-kreditit) i cili, në bashkëpunim me kredimarrësin, do të vlerësojë kërkesën dhe, bazuar në specifikat e rastit, do të ofrojë edhe zgjidhjen përkatëse.
Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me këto institucione.
Në përfundim, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, dëshirojnë të sigurojnë të gjithë publikun shqiptar se mbeten të angazhuara maksimalisht për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme, në kapërcimin e kësaj situate të vështirë.