Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane (BQE) kanë zgjatur marrëveshjen e ekzistuese të mbështetjes me likuiditet deri në mars 2022.
Marrëveshja në fjalë i jep Bankës së Shqipërisë akses në huamarrje për një shumë maksimale deri në 400 milionë euro.
Pavarësisht se deri tani kjo marrëveshje nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky instrument rezervë mbetet i dobishëm në kuadër të kujdesit ndaj efekteve të pandemisë mbi tregun financiar.
Në dhjetor 2020, BQE vendosi të ofrojë një zgjatje të afatit prej nëntë muajsh të linjave të saj të përkohshme të marrëveshjeve SWAP dhe REPO me bankat qendrore të shteteve joanëtare të Eurozonës. Bankat qendrore të Shqipërisë, Kroacisë, Hungarisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rumanisë, San Marinos dhe Serbisë kanë rënë dakord të zgjasin afatin e linjave të tyre të likuiditetit në euro me BQE-në deri në muajin mars të vitit 2022.
Sipas linjës për marrëveshjet e riblerjes (REPO), BQE-ja i ofron likuiditet në euro një banke qendrore të një vendi joanëtar të Eurozonës në këmbim të një kolaterali të përshtatshëm në monedhën euro.
Këto linja u krijuan në fillim të vitit 2020 për të siguruar likuiditet në euro për institucionet financiare në shtetet përkatëse, nëpërmjet bankave qendrore të këtyre shteteve. Qëllimi i këtyre linjave të likuiditetit në euro është përballimi i nevojave të mundshme për likuiditet në euro në shtetet jo anëtare të Eurozonës, në rast të mos funksionimit të tregjeve, për shkak të COVID-19. Për më tepër, ato kanë për qëllimi parandalim e efekteve të përhapjes në tregjet financiare dhe në ekonomitë e Eurozonës, të cilat mund të ndikojnë negativisht transmetimin normal të politikës monetare të BQE-së. Linjat e përkohshme të likuiditetit në euro në fillim u përcaktuan me afat kohëzgjatjeje deri në korrik të vitit 2021./monitor