Guvernatori i Banksë së Shqipërisë Gent Sejko, u shpreh sot se, Banka Qendrore po punon për modernizimin e pagesave në Shqipëri që do të rrisë transfertat online.
Në përgjigje të pyetjes së deputetëve në seancën plenare të së mërkurës në Kuvend, Guvernatori tha se, “BSH ka përgatitur ligjin për “Shërbimet e Pagesave në Vlerë të Vogël” me qëllim lehtësimin dhe rritjen e pagesave apo transaksioneve bankare, për biznesin. Ky ligj i hap rrugën implementimit në vendin të tonë të një sistemi për të bërë pagesa digjitale përmes telefonit, njësoj siç kryhen në vendet e zhvilluara”.
“Njëkohësisht për pagesat në monedhë të huaj kryesisht në euro, ne po punojmë për të bërë kleringun e euros në BSH me bankat korrespondente, për të përshpejtuar transfertat dhe ulur kostot e biznesit. Është në fokusin tonë modernizmi i sistemi të pagesave sipas modeleve më të mira europiane”- tha Guvernatori.
Sejko tha se, kredia për ekonominë është çështje kryesore dhe së shpejti do të kemi një takim me bankat e nivelit të dytë, për të shqyrtuar strategjinë e kreditimit.
Guvernatori shpjegoi se, “kredia për ekonominë rezulton në shifra sikur ka tkurrje por kjo vjen si pasojë e dy faktorëve: Fshirja e kredive të humbura nga bilancet dhe ulë shifrën e kredisë për ekonomisë, dhe së dyti ndikimi luhatjeve të këmbimit që ndikon në totalin e kredisë. Pra këto dy faktorë e shfaqin kredinë në rënie por në thelb, portofoli i kredisë është rritur vit pas viti në 5%, vitin e kaluar në 6%, pra rritje e cila ka rezultuar edhe më e lartë se ritmi i rritjes ekonomike”.
“Eshtë e vërtetë që ekonomia ka nevojë për injektim më të madh të kreditimit dhe ne synojmë këtë rritje ta përshpejtojmë, por duke ruajtur risqet që të mos shkaktojmë infektim të portofolit të kredisë, tregues të cilin po përmirësojmë. Kredia me probleme ka rënie të thellë nga 23%, ka shkuar në 11% të totalit dhe mbi 75% e kësaj kredie është e kolaterizuar. Pra është e mbuluar me kolateral”, deklaroi Sejko.