Banorët e zonës së ‘5 Majit’ Tiranë kanë dorëzuar sot kallëzim penal në SPAK për një sërë zyrtarë të lartë të shtetit për shembjen e banesave të tyre.
Avokatja e banorëve, Adriana Kalaja tha se kallëzimi penal është bërë ndaj kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe zyrtarëve të qeverisë që kanë firmosur për projektin si: Arben Ahmetaj, Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Artan Lame, Gledis Nano.
Avokatja tha se qeveria ka shkelur ligjin dhe është kërkuar hetim për të gjithë zyrtarët.
Banorët i cilësojnë shembjet e banesave të paligjshme si dhe kërkojnë nga Prokuroria e Posaçme të hetojë veprimet e dhunshme të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Ndërtimit.
Në këtë zonë pritet të shemben rreth 400 banesa. Një pjesë e banorëve që u janë shembur banesat nuk kanë firmosur asnjë kontratë me Bashkinë Tiranë dhe nuk kanë përfituar bonus qeraje.