Kina është e angazhuar në një “luftë ekonomike” për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara si superfuqi e vetme në botë, deklaroi të enjten Prokurori i Përgjithshëm William Barr. Kjo është deklarata më i fundit në një seri komentesh të ashpra ndaj Pekinit nga zyrtarë të lartë të administratës Trump.
Duke folur në muzeun presidencial të Gerald R. Ford në Grand Rapids të Miçiganit, zoti Barr tha se përgjigjja amerikane ndaj ambicieve globale të Kinës “do të tregojë se kjo është çështja më e rëndësishme për kombin tonë dhe botën në shekullin njëzet e një“, siç tha ai.
Sipas zotit Barr, Kina përdor një shumëllojshmëri “taktikash grabitqare, shpesh të paligjshme” për të siguruar avantazh ndaj SHBA.
“Mënyra se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara ndaj kësaj sfide do të ketë ndërlikime historike dhe do të përcaktojë nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj liberalë demokratë do të vazhdojnë të formësojnë fatin e tyre apo nëse e ardhmja do të kontrollohet nga Partia Komuniste e Kinës dhe degët e saj autokrate“, tha zoti Barr.
Ndër praktikat grabitqare që dyshohet se përdoren nga Kina, zoti Barr renditi manipulimin e monedhës, çështjne e tarifave, kuotave, investimet dhe blerjet strategjike të drejtuara nga shteti, vjedhjen dhe transferimin e detyruar të pronësisë intelektuale, subvencionet shtetërore, sulmet në internet dhe spiunazhin.
Pekini i ka kundërshtuar prej kohësh shumë nga pohimet e bëra në fjalimin e zotit Barr. Ministri i Jashtëm kinez paralajmëroi të mërkurën se Pekini do të hakmerret me sanksione ndaj individëve dhe subjekteve amerikane. Sipas njoftimeve në media zyrtarë të kësaj ministrie thanë se “punët e Hong Kongut janë thjesht punët e brendshme të Kinës dhe se asnjë vend i huaj nuk ka të drejtë të ndërhyjë“.
Operacionet kineze që synojnë ndikimin tek të huajt janë përqëndruar tek udhëheqësit e bizneseve amerikane, tha Prokurori i Përgjithshëm Barr. Ai paralajmëroi ata drejtues biznesesh që dështojnë të bëjnë të ditur të dhëna mbi marrëdhëniet e tyre me Kinën, se mund të jenë në shkelje të aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj. FARA kërkon që agjentët e qeverive të huaja të bëjnë të ditur aktivitetet dhe marrëdhëniet e tyre me subjektet e huaja.
“Duhet të jeni vigjilentë rreth asaj se si mund të përdoreni dhe se si përpjekjet tuaja në emër të një kompanie apo një qeverie të huaj mund t’a përfshijnë ligjin”, tha zoti Barr.
Fjalimi i Prokurorit të Përgjithshëm vjen ndërsa tensionet mes SHBA dhe Kinës janë rritur. Ky është fjalimi më i fundit ndër pohimesh shpesh të ashpra të zyrtarëve të administratës Trump rreth ambicieve globale të Pekinit gjatë javëve të fundit. Muajin e kaluar, këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien tha se përpjekjet ndër dekada të ShBA për ta zbutur sistemin komunist kinez rezultuan në “dështimin më të madh të politikës së jashtme amerikane që nga vitet ‘30.”
“Ditët e pasivitetit dhe naivitetit amerikan në lidhje me Republikën Popullore të Kinës kanë mbaruar“, i tha zoti O’Brien një grupi drejtuesish biznesesh në Arizona më 24 qershor.
Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha javën e kaluar se Kina paraqet “kërcënimin më të madh afatgjatë” për sigurinë ekonomike dhe kombëtare të SHBA-së. Pothuajse gjysma e 5 mijë çështjeve të zbulimit që ka në dorë FBI-ja përfshijnë Kinën. Çdo dhjetë orë zyra hap një çështje të re që lidhet me Kinën tha zoti Wray.
“Edhe në këtë moment, Kina po punon për të kompromentuar organizatat e kujdesit shëndetësor amerikan, kompanitë farmaceutike dhe institucionet akademike që kryejnë hulumtime thelbësore për COVID-19“, tha zoti Wray gjatë një fjalimi në institutin “Hudson” më 7 korrik.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se “shpreson se këto fjalime ta frymëzojnë popullin Amerikan në mënyrë të rivlerësojë marrëdhëniet me Kinën, për sa kohë që ajo vazhdon të qeveriset nga Partia Komuniste“, siç tha ai.
Komentet vijnë ndërsa SHBA dhe Kina janë përplasur mbi një mori çështjesh që nga tregtia deri tek autonomia e Hong Kongut dhe pandemia e koronavirusit.
Të mërkurën zoti Trump nënshkroi një ligj dhe një urdhër ekzekutiv ku thuhej se SHBA “do ta mbajë Kinën përgjegjëse për veprimet e saj shtypëse kundër popullit të Hong Kongut”.
Legjislacioni vendos sanksione ndaj zyrtarëve kinezë që minojnë autonominë e Hong Kongut, ndërsa urdhri ekzekutiv i jep fund trajtimit preferencial të Hong Kongut./voa