Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “Sali Berisha ka mashtruar me përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’ua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes non grata”.
Në një deklaratë për mediet Basha theksoi se “lëvizjet e Sali Berishës, që nga shtatori kur unë mora vendimin e për pezullimin e tij, e sot e gjithë ditën, kanë shërbyer për të zhurmuar e devijuar fokusin e betejës sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë. Për hallin e tij që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër SHBA. Ka një pikë kur boll është boll”.
“Unë dua t’u drejtohem sot të gjithë demokratëve, e sidomos atyre që kanë dashur me sinqeritet thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike, të cilin Kryesia e PD-së e thirri në datë 18 dhjetor edhe në reflektim të kërkesave të tyre.
Pa dashur të përsëris çfarë kam thënë disa herë rreth përpjekjeve të mia për të gjetur bashkë me Sali Berishën zgjidhjen më të mirë për PD në radhë të parë, por në bindjen time edhe për atë vetë, përpjekje që rezultuan të pasuksesshme, e ndjej si detyrim politik e njerëzor t’ju them: Sali Berisha ju ka mashtruar kur në nisje të lëvizjes së tij për të marrë e shndërruar Partinë Demokratike në bunker antiamerikan pas shpalljes së tij non grata, ju tha se unë kam shkelur statutin, sepse nuk e kam votuar në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar vendimin e pezullimit të tij”, nënvizoi Basha.
“Në kulmin e lëvizjes së tij, – vijoi Basha, – koha tregoi se me gjithë diversionet e pareshtura të Sali Berishës, Kryesia, Këshilli Kombëtar përfshirë Grupin Parlamentar dhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur më 18 dhjetor, si dhe shumica e demokratëve, kanë vendosur t’i qëndrojnë me vendosmëri qëndrimeve zyrtare të PD-së për korrupsionin dhe përcaktimin non grata të SHBA-së dhe të zbatojnë në partinë tonë atë që kemi kërkuar prej vitesh nga të gjitha institucionet shqiptare.”
“Sali Berisha ka mashtruar dhe ka dashur t’ju bëjë për budallenj me sajesat dhe trillimet e tij qesharake rreth arsyeve përse është shpallur non grata nga SHBA, në një kohë kur motivacioni ka qenë dhe është i qartë për çdokënd që nuk ka dëshirë të gënjehet”, shtoi Basha.
Më tej Basha tha se “Sali Berisha ka mashtruar me përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’ua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes “non grata” që merr kohë dhe përfshin një disa institucione e agjenci ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës, që nga Departamenti i Shtetit, te Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit, dhe agjencitë e Sigurisë Kombëtare dhe ligjzbatimit”.
“Sali Berisha, duke njohur mirë ndjenjat proamerikane të shumicës dërmuese të demokratëve dhe popullit shqiptar, ka mashtruar duke ju mbajtur të fshehtë me sa ka mundur deklaratat e qarta e të përsëritura të përfaqësuesve të SHBA dhe presidentit Biden, se SHBA do të ndërpresë çdo marrëdhënie me një PD të drejtuar nga një e person non grata, cilido qoftë ai”, tha Basha.
“Për hallin e tij që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër demokratëve dhe kundër SHBA-së”, tha Basha.
Kreu i PD-së tha se “Sali Berisha ju ka mashtruar keq duke gënjyer, trilluar e shpifur pa hesap kundër meje, pa paraqitur asnjë fakt a provë sado të vogël, e gjithë kjo që të mbledhë pas vetes mbështetës e të bëjë turmën e karshillëkut kundër SHBA dhe të hedhë demokratët kundër njëri-tjetrit. Sali Berisha ka shpërdoruar vullnetin e atyre demokratëve që firmosen për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm të PD-së, duke mos lejuar kalimin e firmave të tyre në rrugën ligjore që përcakton kushtetuta e Partisë”.
Basha sqaroi se “Berisha e nisi si betejë për statutin, por tregoi se ishte një mashtrim si gjithçka tjetër që prej 9 shtatorit. Ai shkeli statutin, manipuloi firmëtarët për kuvendin, manipuloi me mitingun, manipuloi me pseudoreferendumin. Sepse ai do kaos dhe dhunë, ai nuk njeh as statut, as institucione, sepse ai e do PD vetëm si mburojë për hallin e tij të madh. Për hallin e tij nuk mendohet dy herë të përplasë demokratët me njëri-tjetrin. Ta harrojë”.
“Selia është e demokratëve pa dallim, është shtëpia e lirisë, e mendimit të lirë, shtëpia e bashkimit rreth interesit që na bashkon të gjithëve, pro meje apo kundër meje, që është largimi një orë e më parë i qeverisë së rekordeve të zeza të Edi Ramës. Por kjo seli nuk është e nuk do të jetë han mesjetar, ku mund të hyjnë duke u kapardisur eksponentë të botës së trafiqeve dhe krimit, apo të merret peng nga ish-zyrtarë të korruptuar të qeverisë së PD-së. Selia e PD-se nuk do të jetë arenë vetëgjyqësie për interesat e Sali Berishës”, tha Basha.
Basha i bëri thirrje demokratëve t’u rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së.
“PD ka marrë masa të përballet dhe t’u tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj. Shqipëria nuk mund të turpërohet duke prodhuar një ngjarje të shëmtuar antiamerikane në selinë e PD-së dhe as demokratët nuk ja kanë borxh Sali Berishës kundërvënien përballë njëri-tjetrit, që ai nxit dhe provokon prej dëshpërimit të tij. PD nuk mund ta mbajë e nuk ka për ta mbajtur këtë turp”, tha Basha.