Lulzim Basha në takimin me kryetarët e degëve ditën e sotme, 17 nëntor tha se vota e kryesisë i dha përgjigje kujtdo që dyshonte në procedurat demokratike në parti.
Basha tha se më 18 dhjetor mbahet Kuvendi Kombëtar i PD dhe nga ky kuvend ne dalim te bashkuar, partner të palëkundër të SHBA dhe BE.
“Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë qe nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD.
Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike te PD, e kane përgjigjen në Statut.
Dhe do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka te caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën.
Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët,” u shpreh Basha.
Basha para kryetarëve të degëve është ndaluar nga arsyet e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar, por edhe situatën e krijuar më pas.
Basha i ka kërkuar kryetarëve të degëve që të dalin në terren dhe të evidentojnë të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD për të diskutuar, për të ditur arsyet dhe të gjitha qëndrimet e kryetarit Basha në lidhje me këtë çështje dhe për t’i bindur ata që Kuvendi i vërtetë do jetë në 18 dhjetor. Basha ka theksuar se ky Kuvend do të jetë shumë i rëndësishëm për partinë pasi do të diskutohen tezat kryesore politike, situata aktuale dhe do të diskutohet se kush është ai që po kërkon përçarjen e PD-së për interesa personale.
Sipas Bashës kuvendi i 18 dhjetorit do ta nxjerrë PD më të fortë edhe përballë aleatëve, ndërsa ka theksuar se nuk do të lejojë askënd të dalë mbi Statutin e kësaj force politike.