Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se PD do t’i kthejë politikës fytyrën njerëzore, duke nisur me fytyrën e rinisë shqiptare.
Në një takim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Basha tha se “politika me fytyrë njerëzore do t’ia kthejë institucionet e shtetit shqiptarëve, se sot vetëm të shqiptarëve nuk janë. Dhe kur institucionet nuk janë të shqiptarëve, ku institucionet i ka kapur një grusht njerëzish, çfarë ekonomie mund të kesh në këtë vend”.
“Nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar me institucione që nuk iu takojnë qytetarëve dhe ky është një tjetër element pjesë e rëndësishme e vizionit politik të Partisë Demokratike, politikë me fytyrë njerëzore, çlirimi i votës përmes sanksioneve ndaj politikanëve, vetingu i politikanëve, afatet jo më shumë se 2 mandate. Këto do të ndihmojnë që institucionet t’u kthehen shqiptarëve, e në veçanti rinisë shqiptare. Dhe vetëm kjo do të bëjë të mundur, sigurisht përmes vizioneve të ndryshme, që Shqipëria të kenë një ekonomi që t’i mbajë të rinjtë këtu”, theksoi Basha.
Basha tha se, “pjesë e reformës sonë politike është vetingu në politikë, forcimi i sanksioneve për ata që vënë dorë mbi votën e shqiptarëve. Kush prek votën e shqiptarëve, ka prekur fëmijët e shqiptarëve, ka prekur të ardhmen e shqiptarëve”.
“Ja ku i kemi provat sot, ja ku e kanë katandisur vendin dhe këtu duan ta mbajnë. Kështu e duan Shqipërinë, jo kështu siç jemi këtu ne sonte. Ky është tmerri i tyre, ky është ankthi i tyre. Një sallë e mbushur me të rinj jo për koncert, as për zbavitje, por me plane politike, me plane politike për Partinë Demokratike, me vizion politik personal, me vendosmëri për të mos u dorëzuar, por për të qëndruar, për të luftuar dhe për të fituar”, nënvizoi Basha.
Basha i ftoi të rinjtë ta bëjnë së bashku Shqipërinë ndryshe./ata