Në një reagim të ashpër nga selia blu, kreu i PD-së Lulzim Basha i ka çuar një mesazh të fortë Edi Ramës, pas vendimit për të miratuar ligjin e censurës ndaj medias dhe dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji.
Ne jemi Partia Demokratike! Ne jemi sot partia që gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh’, deklaroi Basha.
Pjesë nga deklarata e kreut të PD-së, Lulzim Basha:
Në këto 6 vjet ne jemi përballur me padrejtësinë dhe hakmarrjen politike të Edi Ramës sa herë kemi denoncuar lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe me aferat korruptive.
Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhrit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar.
A na e ka mbyllur gojën dot ne Edi Rama me të korruptuarit dhe kriminelët e tij në polici, prokurori dhe gjyqësor? Jo! Dhe nuk ka për t’ia dalë kurrë!
Ne jemi Partia Demokratike! Ne jemi sot partia që gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh.
Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës, familjes apo qeverisë së tij me krimin e organizuar.
Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim!