Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një miting të vërtetë me mbështetës të Partisë Demokratike në zonën e ish-Kënetës në Durrës, edhe pse në kushte pandemie distancimi fizik vazhdon të konsiderohet masa e vetme mbrojtëse ndaj COVID-19.
Në faqen e Partisë Demokratike në Facebook janë postuar foto nga mitingu i PD ku duken qindra njerëz të mbledhur për të dëgjuar kreun e PD.
“Në zonën e Kënetës në Durrës takova qindra qytetarë të rrënuar nga pandemia ekonomike e qeverisë. Si kudo në Shqipëri, edhe këtu RAMAVIRUSI ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit.
RAMAVIRUSI është pandemia që torturon tash 7 vjet shqiptarët”, thotë kreu i demokratëve, teksa numëron padrejtësitë që sipas tij i janë bërë shqiptarëve në 7 vjet të qeverisë Rama.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke postuar në Twitter një foto nga mitingu i mbajtur nga kryedemokrati në Durrës shoqësruar me shënimin:
“Të rrezikosh shëndetin dhe jetën e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni!”