I ftuar në studion e Syrit, me gazetarin Cim Peka, Lulzim Basha është pyetur për aksionin politik para 30 qershorit, dhe se çfarë arriti PD, cilat ishin rezultatet. Kryetari i opozitës tha se me protestat dhe aksionin e drejtuar prej tij, është arritur ndërgjegjësimi më i madh i ndërkombëtarëve për atë që po kalon vendi, dhe se kush e qeveris atë.
Basha tha se farsa e 30 qershorit, jo vetëm që u braktis masivisht nga shqiptarët, por sipas tij, ato zgjedhje nuk janë njohur nga askush.
Kreu i opozitës citoi raportin paraprak të OSBE-ODIHR, që sipas tij e ka zhvleftësuar 30 qershorin, dhe Basha shtoi se raporti final, që pritet të dalë në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit, do të jetë edhe më i zi.
Lulzim Basha mbrojti vendimin për djegien e mandateve, duke u shprehur se pa ndërmarrë atë, Opozita do të behej një fasadë e një sistemi të korruptuar e kriminal.
Kreu i opozitës, tha se PD-së nuk i kishte mbetur më asnjë instrument për të luftuar oligarkinë dhe vjedhjen, pasi iu hoq edhe drejta e fjalës. Edhe Gjykata Kushtetuese ra, u shpreh Basha, dhe nuk kishte mbetur më asnjë pengesë për qeverinë dhe bandën e hajdutëve.
Basha u shpreh se një masë e tillë ekstreme ndihmoi për të ndërgjegjësuar çdokënd dhe faktorin ndërkombëtar se kjo gjendje nuk mund të durohej më. Basha shtoi se falë këtij aksioni të opozitës, ky ndërgjegjësim, sot është arritur. Dhe kjo, ka ndihmuar në zbulimin e përmasave të plota të qeverisjes kriminale, sipas Bashës.
I pyetur nga gazetari Peka, pse PD nuk mori mbështetje nga Partitë Popullore të Europës, aty ku kjo forcë politike është anëtare, Basha tha se qendrimi i CDU i partisë kryesore të PPE, ishte në favor të kauzës së opozitës.
Kryetari i Opozitës theksoi se ishte shumë më efektive rruga e sqarimit të partnerëve, se hapësira e opozitës ishte hequr, dhe rrjeta e fundit që mban garancitë e vendit, Gjykata Kushtetuese, kishte rënë, pas vendimit për djegien e mandateve.
Basha pohoi se aktualisht jemi në një pikë kthese, ku gjithë faktori ndërkombëtar është vetëdijësuar se gjendja është e papranueshme, dhe se zgjedhjet e parakohëshme elektorale, të lira e të ndershme, janë e vetmja zgjidhje.