Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se është i përgatitur, bashkë me partinë e tij për gjithçka që mund të ‘prodhojë’ ajo çka ai e cilëson Foltorja e 11 dhjetorit.
Në një intervistë për Nisida Tufën në News24’ Basha tha se PD ka mobilizuar të gjitha energjitë në përballjen me regjimin me një agjendë të qartë politike.
“Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë. Ajo që dua të them është kjo, ka një palë që investon fuqishëm për të përçarë Partinë Demokratike dhe kjo palë është rrëgjimi, është Edi Rama, me forma dhe mënyra të ndryshme, shumë prej tyre janë denoncuar në mendja nga demokratë të thjeshtë përmes presioneve që u janë bërë pikërisht nga ata zyrtarë të Partisë Socialiste apo faktorë të krimit të organizuar që deri me 25 prill Partia Demokratike dhe demokratët i kam pasur përballë dhe tani pa pritur i shohim tek ndihmojnë aktivitetet e zotit Berisha, por një gjë është e sigurt, as vullneti i demokratëve as arsyeja se pse kjo parti është themeluar, ekziston, qëndron dhe do të qëndrojë që është t’i shërbejë shqiptarëve, demokracisë, zhvillimit të Shqipërisë nuk do të tronditen apo do të lëkunden për shkak të nevojave, halleve problemeve personale të një njeriu të vetëm çfarë do qofshin mjetet që ky person zgjedh të hedhë kundër Partisë Demokratike.
Uroj që të prevalojë sado pak gjakftohtësia, uroj të kuptoj që është kthyer në një tubë oksigjeni për këtë regjim, uroj ta kuptojë që është kthyer në një barrë të pamerituar për demokratët dhe Partinë Demokratike teksa ne kemi mobilizuar të gjitha energjitë tona në përballjen me regjimin me një agjendë të qartë politike, por në çdo rast siç ju thashë Partia Demokratike dhe unë jemi të përgatitur për çdo situatë.”, tha Basha.
Ndërsa Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha më 11 dhjetor, Kreu i PD-së Lulzim Basha e cilëson një foltore në Tiranë. Basha tha se nuk ka një zgjedhje mes tij dhe Berishës sepse kreu i PD sapo është zgjedhur me një shumicë dërrmuese. Ai tha se Kuvendi i PD është më 18 dhjetor. Basha deklaroi se nëse do të kthehej sërish pas, do të merrte të njëjtin vendim për ish-kryeministrin Sali Berisha, atë të pezullimit nga grupi parlamentar.
11 dhjetori apo 18 dhjetori?
11 dhjetori siç ju thashë është një Foltore e thirrur në Tiranë ku janë thirrur të vijnë edhe ata që kanë qenë në Foltoret e tjera. Do të vijnë, s’do të vijnë është puna e tyre, është vullneti i tyre. Disa pre tyre janë anëtarë të Partisë Demokratike, disa prej tyre mund të jenë edhe delegatë, disa prej tyre janë simpatizantë, disa prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.
Megjithatë ka nga ata anëtarë po deputetë të Partisë Demokratike siç është rasti i deputetit Tomor Alizoti i cili nuk preferon të shkojë në asnjë Kuvend, as në datën 18 dhe as në datën 11. Për këtë kategori a ka një mesazh nga ana juaj?
Angazhimi politik është angazhim, unë nuk dua të merrem me emra të përveçëm, por angazhimi nuk është vetëm privilegj. Në fakt jo vetëm në Shqipëri, por kudo angazhimi politik sjell mbi të gjitha sakrificë. Sigurisht nëse e shikon politikën si një mjet për t’i shërbyer njerëzve dhe jo për t’i shërbyer vetes. Kështu që, kushdo që futet apo merr një angazhim aktiv në politikë, duhet ta ketë të qartë se çdo ditë dhe çdo orë e jetës së tij apo të saj deri në fund të këtij angazhimi duhet të jetë në shërbim të njerëzve të cilëve iu ka kërkuar besimin dhe që presin prej atij apo prej asaj ta kthejë në një të mirë publike qoftë kjo në qeverisje apo në opozitë, sipas detyrave që secila palë ka në demokraci.
Duke parë pak në retrospektivë, duke parë se si erdhën dhe rrodhën këto ngjarje, nëse do të ishit vënë përsëri përballë zgjedhjes a do ta kishit marrë sërish vendimin e 9 shtatorit ndaj zotit Berisha?
Absolutisht po! Duhet t’ju kujtoj që ky vendim nuk erdhi papritur. Erdhi pas 3 muajsh, përpjekjesh diskutimesh, negociatash për të arritur në një zgjidhje që do të harmonizonte nga njëra anë interesin e Partisë Demokratike e cila u vendos në një pozitë të vështirë në raport me aleatin strategjik jo vetën të Shqipërisë, por edhe të Partisë Demokratike Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U vendos në atë pozitë sepse ne vetë kishim vendosur një standard. Në rastin e Vangjush Dakos, Tom Doshit jo vetëm që kemi kërkuar largimin e tyre por kemi argumentuar. Partia Demokratike, unë, vetë zoti Berisha që ata nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve, nuk duhet të kenë të drejtë të garojnë. Këto kanë qenë qëndrimet tona. Ndaj ka qenë një debat, një përpjekje pothuajse 3-mujore e cila pastaj ka rezultuar me një vendim që sigurisht mbi interesat personale të çdokujt. Siç e kam thënë edhe sikur të isha unë i godituri nga vendimi ‘non grata’ i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të prevalojnë interesat e Partisë Demokratike, duhet të prevalojnë sakrificat dhe interesat e demokratëve dhe jo hallet dhe interesat personale të askujt, as të Sali Berishës./news 24