Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të një takimi me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, tha se do t’i mbështesi ata në të gjitha format.
Në një prononcim për gazetarët, Basha u shpreh se shembja e Teatrit Kombëtar është një akt lufte.
” Do të vazhdojmë t’i mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat. Siç e kam thënë edhe më parë, çdo hap për prishjen e Teatrit Kombëtar është një akt i pastër lufte ndaj qytetarëve dhe jo vetëm ndaj artit dhe artistëve”, u shpreh Basha.
Gjithashtu Basha e cilësoi Teatrin e Kombëtar si vijën e kuqe të përballjes së qytetarëve me regjimin që sipas tij i ka vjedhur duke i vendosur taksa e gjoba.
“Unë u bëj thirrje të gjithë mbështetësve të opozitës dhe çdo qytetari shqiptar të djathtë e të majtë që sot është në pasiguri për jetën, që sot është me tavolinë të boshatisur, që sot nuk ka me çfarë t’i ushqejë fëmijët, ta kuptojnë te Teatri Kombëtar sot është vija e kuqe e përballjes me regjimin që ju ka vjedhur dhe ju ka lënë pa bukën e fëmijëve, që ju ka lënë pa rroga në kohën e pandemisë, që ka nxjerrë zbuluar shtetin prej kartoni, i cili ua merr taksat, ju vendos gjobat, por kur ju keni nevojë për mbështetje jo vetëm nuk kujtohet për ju, por vazhdon të vjedhë pasuritë tuaja për veten e tij dhe për një grusht oligarkësh”,- tha Basha.
“Nëse ky pushtet do t’i shkojë deri në fund marrëzisë për të ndezur zjarrin te Teatri, le ta presin popullin tek çdo institucion i uzurpuar. Le ta presin zjarrin nga Surreli tek qendrat tregtare dhe objektet luksoze të oligarkëve të lidhur me krimin e organizuar. Kjo është thirrja ime ndaj qytetarëve shqiptarë, kjo është thirrja ime ndaj opozitës. Teatri është vija e kuqe. Akti i luftës do të ketë përgjigjen e merituar”,- vijon Basha.