Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të mbajtur zgjedhje më 30 qershor është pjesë e planit të Ramës, duke theksuar se Kolegji Zgjedhor nuk mund të shprehet për dekretin e Presidentit të Republikës.
Basha nënvizoi: “Rama ka futur makineri falso për të bërë zgjedhje false. KQZ po bën zgjedhje që janë të paligjshme. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shprehet për dekretin e presidentit. Vendimi i sotëm dihej në rrethet politike të Tiranës. Është e gjitha e përgatitur nga Edi Rama. E gjitha kjo ndodhi përpara syve të të gjithë shqiptarëve dhe tregon se Rama ka kontroll të plotë mbi drejtësinë.
Mbi të gjitha vendimi i sotëm tregon faktin se ngrehina shtetërore është reduktuar vetëm në funksionin e fasadës, për të mbuluar dhunimin e ligjit nga Edi Rama. KQZ rezultoi fasadë, edhe kolegji Zgjedhor mori vendim fasadë. Me veprimin e tij Kolegji Zgjedhor provoi se vendimi ynë për të mos hyrë në zgjedhje farsë ishte vendimi i duhur. Regjimi kriminal i Ramës ka nevojë për fasadë për të mbuluar krimin. Të gjithë po shikojmë fytyrën e regjimit të Ramës. Shqipëria rrezikon sot gjithçka. Nuk ka asnjë dyshim se një qeveri e re dhe e ndershme do të jetë në gjendje të luftojë krimin e organizuar, të luftojë krimin dhe korrupsionin”.
Ai vijoi: “Por që Shqipëria të ketë një qeveri të tillë, duhet që të ketë zgjedhje të lira. Zgjedhjet e manipuluara, zgjedhjet e fituara me kriminelë sjellin qeveri kriminale si kjo e Edi Ramës. Ka vetëm një mënyrë se si Shqipëria mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme: Daljen para drejtësisë të atyre që kanë vjedhur zgjedhjet – politikanë, zyrtarë, dhe kriminelë. Që të ndodhë kjo, duhet që Edi Rama të largohet nga kryeministër. Këto dy kushte janë të panegociueshme për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Pa u plotësuar ato, ne nuk do t’i rikthehemi asnjë procesi politik. Pa ndëshkueshmërinë e së keqes, e keqja vetëm do të përsëritet. Edi Rama do të përpiqet me çdo kusht t’i shmangë këto dy zhvillime, por nuk ka për t’ia dalë. Ne do t’i arrijmë këto dy objektiva të rëndësishme pa asnjë kompromis. Ne shpresojmë që ato do të arrihen pa kosto shoqërore”.
Në vijim, ai ritheksoi se Shqipëria po shkon në zgjedhje një partiake, gjë që sipas tij është antidemokratike. Basha u shpreh se Rama zgjedh kandidatë në bashki për të mbrojtur krimin dhe bandat kriminale.