Anëtarja e këtij komisioni, deputetja e PS-së Antoneta Dhima u shpreh sot se këto marrëveshje nxisin ndër të tjera mbrojtjen e mjedisit, turizmit dhe të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Konkretisht sot u miratua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit nëpërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Komisionit Europian, për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II CBC, Shqipëri-Kosovë 2014-2020, alokimet e vitit 2018”.
Dhima tha se ai synon sigurimin dhe mbështetjen financiare të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit, për realizimin e Programit të Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë për alokimet e vitit 2018.
“Prioritetet e këtij programit shtrihen në këto fusha: mbrojtja e mjedisit, promovimi i politikave të zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike; parandalimit dhe menaxhimit të rreziqeve; inkurajimi i turizmit dhe i trashëgimisë kulturore e natyrore; investimi në rini, arsim dhe aftësim”, tha ajo.
Një tjetër projektligj ishte ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit nëpërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e vitit 2018”.
Dhima tha se ky projektligj ka si qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin midis dy vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta, gjithashtu, shkëmbimin e eksperiencës dhe njohurive midis përfituesve si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale, në zonën e programit.
Sipas saj, “prioritetet e këtij programit shtrihen në këto fusha: nxitjen e turizmit dhe të trashëgimisë kulturore dhe natyrore; mbrojtjen e mjedisit, nxitjen e përshtatjes dhe lehtësimit ndaj ndryshimeve klimatike, parandalimit dhe menaxhimit të rrezikut; nxitja e punësimit, e lëvizjes gjeografike të punonjësve, dhe e përfshirjes sociale e kulturore përtej kufirit”.
Projektligji tjetër i miratuar ishte ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit nëpërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, për Programin e Veprimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut – Shqipëri, alokimet për Vitin 2018”.
Dhima tha se ky projektligj ka si qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin social-ekonomik të zonave ndërkufitare dhe të rrisë bashkëpunimin midis dy vendeve, nëpërmjet ndërhyrjeve të përbashkëta si dhe shkëmbimin e eksperiencës, njohurive midis përfituesve si dhe përmirësimin e politikave publike mes autoriteteve kombëtare, rajonale dhe lokale në zonën e programit.