Nga Genc Mlloja
Kur shpalosi nocionin mbi ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin në OKB në vitin 2015 President kinez Xi Jiping argumentoi nevojën e domosdoshme dhe jetike të vendeve dhe popujve të botës që në të mirë dhe në të keqe ata i lidhte një fat i përbashkët dhe çdo hap drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe harmonik dhe veçanërisht kapërcimi i hendekut të thellë midis vendeve të pasura dhe të varfëra mund të bëhej realitet dhe të ishte produktiv me përpjekje të përbashkta të të gjithë komunitetit nderkombëtar. Nëqoftëse në atë kohë, që në fakt nuk është shumë e largët se vetëm diku tek 6 vite kanë kaluar, kjo ide nuk pati ndonjë jehonë të veçantë dhe madje u konsiderua nga disa fuqi të mëdha të bllokut perëndimor thjesht si përpjekje e Kinës për të rritur influencën e saj në botë, realiteti i sotëm dëshmon se ky koncept i ka kaluar ‘kufijt’ e godinës së xhamtë të Kombeve të Bashkuara dhe muret e sallës së Asamblesë së Përgjithshme ku Presidenti Xi paraqiti mendimet e tij mbi këtë iniciativë.
Tani, kur sapo ka hyrë 2021, pas një viti sa tragjik në humbje njerëzore dhe po aq shkatërrimtar në shumë fusha, kryesisht ekonomike e sociale, askërkund dhe askush, edhe më kritizerët, nuk mund ta mohojnë frymën e kësaj përpjekje të sinqertë për të ecur në shinat e ndërtimit të një ardhme të përbashkët për njerëzimin. Pak kush e kishte menduar se bota do të përballej me krizën e tanishme shëndetësore që vazhdon dhe pasojat e saj shumë dimensionalëshe që në një mënyrë apo tjetër janë pasqyrim i një realiteti shumë të trishtë të plagëve të rënda ekonomike, shëndetësore dhe sociale në pjesën më të madhe të vendeve të rruzullit tokësor.
Miti i propogandës se popujt janë në një ‘anije’ tashmë është bërë copë e çikë sepse varfëria sa vjen dhe rritet, të pasurit po i shtojnë pasuritë e tyre kurse uria ndërmjet të varfërve po shtohet në fillimet e dekadës së dytë të shekullit 21-të. Pashmangërisht urrejtja sociale po shtohet kundrejt sfondit të rritjes së tensioneve gjeopolitike në pjesë të ndryshme të botës.
“Ndërsa ne të gjithë lundrojmë në të njëjtin det, është e qartë se disa janë në supërjahte ndërsa të tjerët kacavirren pas mbeturinave që merr rrjedha”, u tha liderëve të vendeve anëtare të OKB-së në Asamblenë e Përgjithshme kur u perkujtua 75-vjetori i krijimit të kësaj organizate pan botërore Sekretari i Përgjithshëm i saj, Antonio Guterres më 21 shtator 2020. Gueterres lëshoi mesazhin alarmues, dramatik e pasionant për ata që deshën ta dëgjojnë: “Ne i përkasim njëri-tjetrit. Ne ose qëndrojmë sëbashku, ose shpartallohemi të gjithë”!
Përkundrej këtij realiteti të hidhur kritik spikat ndër të tjera alternativa largpamëse por edhe optimiste e Presidentit Xi Jinping për ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, e cila në thelb synon ti shërbejë ristrukturimit të një bote të hapur, gjithëpërfshirëse, të pastër dhe të bukur ku të mbizotrojë paqa e qëndrueshme, sigurimi i përgjithshëm dhe begatia e përbashkët e popujve. Alarmi i shprehur nga numri një i OKB-së dhe alternativa konstruktive e ofruar nga Presidenti Xi përputhen në kohë e synim dhe kanë një pikë takimi themelore jetike: shpëtimin e njerëzimit nga thepisja e mëtejshme dhe ringjalljen e shpresës së humbur për një jetë më të mirë e të sigurt për të gjithë nën këtë diell pjesë e të cilit u takon të gjithëve!
Zhvillimet e shpejta vibrante të sotme në mbarë botën e trazuar po dëshmojnë se strukturat e trashëguara nga Lufta e Dytë Botërore janë shvleftësuar dhe dita ditës urgjenca e një ristrukturimi të institucioneve ndërkombëtare dhe një rend i ri botëror për t’iu përgjigjur sfidave të kohave më të ashpra që pas asaj lufte po fiton terren në përputhje me interesat e secilit vend dhe në të mirë të popujve. Se në fund të fundit nuk është rastësi që edhe në vendet më të zhvilluara, të konsideruara ‘djepi’ i demokracisë perëndimore, krisjet e sistemit u thelluan dhe për momentin është tipik rasti i SHBA ku u vu në dyshim elementi bazë i democracisë: vota e lirë e popullit në zgjedhje. Çfarë është në zhvillim në atë vend po vërteton se demokracia e vërtetë ka nevojë për ripërtritje dhe se mbyllja në vetvete nuk është zhvillim e forcë, përkundrazi burim i tensioneve të brëndëshme që pasqyrohen edhe në arenën ndërkombëtare.
Pandemia, bashkësia me të ardhme të përbashkët për njerëzimin në veprim
Kur shpërtheu epidemia kovidiane në Kinë me tërë egërsinë e saj dhe ky vend po bënte një luftë dhëmb për dhëmb kundër virusit vdekjeprurës, udhëheqës nga më shumë se 170 vende të botës dhe organizata ndërkombëtare dhe rajonale dhe më shumë se 300 parti dhe organizata të huaja politike ofruan solidaritetin e tyre nëpërmjet letrave, telefonatave, dhe deklaratave. Ndërkohë më shumë se 70 vende dhe organizata ndërkombëtare i dërguan Kinës materiale anti- virus dhe i dhanë ndihma të ndryshme të tjera. Sipas dëshmive publike Wuhani, që ishte vatra e epidemisë, u kthye në një qëndër ku flitej në gjuhë të ndryshme të botës. Kurse vetë reagimi kinez ndaj epidemisë ka qënë i pashëmbullt: i shpejtë, masiv dhe efektiv duke bërë të mundur që pas 10 javësh gjëndja të ishte nën kontroll. Rimëkëmbja prej pasojave aq e pashëmbullt saqë shumë figura politike e shkencore botërore kanë sugjeruar në forumin dy-ditor të kuptosh Kinën mbajtur në Guangzhou më 25 mars në 2020 studimin në rrafsh ndërkombëtar të kësaj historie unike suksesi.
Edhe në Tiranë në shkurt të vitit 2020 u zhvillua një veprimtari solidariteti në përkrahje të Kinës, që po luftonte kundër epidemisë së koronavirusit të ri ku morën pjesë Ambasadori kinez Zhou Ding, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë Bardhylka Kospiri, deputeti socialist Ervin Bushati, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, si dhe afro 100 kinezë që jetojnë në Shqipëri si dhe miq e dashamirës shqiptarë të Kinës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj falënderoi për ndihmën e palës kineze pas tërmetit në Shqipëri dhe vlerësoi kontributin e komunitetit kinez në Tiranë. “Tani Kina po përballon vështirësi dhe ne duhet t’i japim përkrahjen tonë”, theksoi Veliaj, duke shprehur besimin se Kina do ta mposhtë këtë epidemi. Nga ana e tij Ambasadori Zhou Ding falënderoi për përkrahjen e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj dhe qarqeve të ndryshme të Shqipërisë për luftën ndaj epidemisë së koronavirusit të ri. Ai u shpreh se, pas shfaqjes së epidemisë së koronavirusit të ri në Kinë, presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i kanë dërguar mesazhe solidariteti qeverisë e popullit kinez. Qytetarët e Tiranës dhe miq e dashamirës të Kinës i kanë shprehur në mënyra të ndryshme urimet e tyre Kinës. Përballë epidemisë, duhet të besojmë te shkenca, të shmangin panikun, të qëndrojmë së bashku dhe të ruajmë frymën e hapjes dhe gjithëpërfshirjes, theksoi Erion Veliaj në atë kohë kur epidemia nuk kishte marrë akoma përmasat e saj të rrezikshme.
Sapo nisi vënia nën kontroll e virusit në Kinë udhëheqja e këtij vendi nuk vonoi që të ofronte solidaritetin e vet për vendet e tjera dhe faktet për këtë jane të panumërta të shprehura në ndihma me materiale anti- Covid dhe pajisje të tjera mjekësore, specialistë, video konferenca për të shkëmbyer përvojën etj. A nuk është ky një shëmbull konkret se çfare nënkupton funksionimi i bashkësisë me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin?
Nuk është aspak e tepërt të përmënd se kur kryeministri shqipëtar Edi Rama i deklaroi popullit në një mesazh publik në prill të 2020 se Shqipëria ishte vetëm në luftën kovidiane ndërsa epidemia sapo kishte nisur të përhapej rrezikshëm dhe me shumë të panjohura ishte lehtësim i madh fillimi i ardhjes së pasjisjeve anti- Covid nga Kina. Ky solidaritet është pjesë e themelit të kësaj bashkësie fatesh në mes popujve dhe merr vlerë në situata të tilla që bëhen të paharrueshme. Nëse në fillim nuk munguan shprehjet jo dashamirëse ndaj kinezëve si ‘përhapës’ të virusit në disa vende si për shëmbull Itali sot populli i saj nuk resht së shprehuri mirënjohjen e madhe ndaj Kinës për ndihmën që i dha kur të gjithë vendet e Bashkimit Europian i kthyen shpinën anëtarit më të vjetër, themeluesit të këtij grupimi politiko-ekonomik më i madhi ne kontinetin europian.
Një shëmbull tjetër si po materializohet platforma e bashkësisë së fateve të përbashkta është iniciativa ‘Një Brez, Një Rrugë’ në kuadrin e të cilës janë realizuar dhe janë në vijim me qindra projekte që tashmë janë bërë të njohura për mbarë opinionin publik ndërkombëtar. Largapamësia e Greqisë dhe Italisë ndër të tjerë ne Europë për t’iu bashkuar asaj që po mbiquhet ‘rruga e mëndafshit e shëndetit’ (Një Brez, Një Rrugë) ka përmasa sa kombëtare për ata vende por edhe ndërkombëtare duke dëshmuar se nuk ka rrugë tjetër nëse duam zhvillim e përparim të vendeve dhe popujve veçse kur plotësohen fatet e njëri tjetrit, ndahet ëndërra e harmonisë së zhvillimit në paqë e siguri.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mekanizmin ’17 + 1′ në kuadër të të cilit janë realizuar vepra të rëndësishme veçanërisht në fushën e infrastrukturës në vende si Hungaria, Serbia, Polonia etj.
Lufta kundër varfërise, mbrojtja e klimës e biodiversitetit, forcimi i organizatave ndërkombëtare, shuarja e shmangja e konflikteve rajonale dhe ruajtja e paqës, përpjekja për një zhvillim global ekonomik e social dhe shumë të tjera sfida si këto kërkojnë veprime të përbashkta të të gjithë vendeve e popujve larg frymës së hegjemonizmit dhe proteksionizmit. Politika e kontrollit global nga fuqi të caktuara të fateve të njerëzimit është shvleftesuar; tash askush nuk mund të kontrollojë fatet e vendeve dhe popujve të këtij rruzulli tokësor të përbashkët. Koha po e tregon se një rrugë ka: respekt për njëri-tjetrin, dialog konstruktiv si të barabartë në mes të barabartëve, partneritet në vend të ballafaqimit, ndarje sa më e drejtë e të mirave të kësaj bote për të gjithë popujt në bashkekzistencë për një të ardhme të përbashkët. Në këtë frymë viti 2020 provoi bindshëm se ndërtimi i një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin është një alternativë e kohës në rritje dhe se rruga drejt përparimit dhe zhvillimit në një botë paqësore dhe te sigurtë për tërë popujt nuk ka kthim prapa. Vlerat e kësaj iniciative janë promotori i së ardhmes./CRI