Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord të mërkurën për të pezulluar plotësisht një marrëveshje për lehtësimin e vizave me Rusinë, duke e bërë më të vështirë dhe më të kushtueshëm për qytetarët rusë hyrjen në BE, tha shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borell.
“Ne ramë dakord për … pezullimin e plotë të marrëveshjes së lehtësimit të vizave Bashkimi Evropian-Rusi,” tha ai në një konferencë shtypi në fund të një takimi dy-ditor të ministrave të jashtëm në Pragë.
“Kjo do të reduktojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara nga vendet anëtare të BE. Do të jetë më e vështirë, do të zgjasë më shumë.”
Diplomatët thanë se ministrat e BE-së nuk mund të bien dakord menjëherë për një ndalim të plotë të vizave të udhëtimit për rusët pasi vendet anëtare ishin të ndara për këtë çështje.
Borrell tha se kishte pasur një rritje të konsiderueshme në kalimet kufitare nga Rusia në shtetet fqinje që nga mesi i korrikut.
“Ky është bërë një rrezik sigurie për këto shtete fqinje,” shtoi ai. “Përveç kësaj, ne kemi parë shumë rusë që udhëtonin për t’u çlodhur dhe për të bërë pazar sikur të mos kishte luftë në Ukrainë.”
Bashkimi Evropian dhe Rusia kanë marrëveshje për lehtësim të procedurave për viza prej vitit 2007.
/Argumentum.al