Opinion i Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, SHTZ. A.Zaytsev
Më 7 mars në gazetën “ADN” u botua artikulli i publicistit shqiptar D.Shasha. Në shkrimin me titull “Një Evropë e Re” promovohet ideja se përgjatë tre dekadave të fundit, Bashkimi Evropian ka mbetur një “xhuxh gjeopolitik”, duke preferuar të zhvillojë një politikë të “fuqisë së butë” dhe të mos investojë në sistemin e tij të sigurisë. Për këtë arsye, ai ka humbur peshën e tij gjeopolitike në sytë e aleatëve amerikanë dhe gjoja tashmë është i detyruar të rrisë aftësitë e tij ushtarake. Në lidhje me këtë, do të doja të vëreja sa vijon.
Teza se SHBA-ja ka mbetur “e vetme” pas rënies së murit të Berlinit nuk korrespondon me realitetin. Gjatë dekadave të fundit, vendet e Evropës Perëndimore, në përbërje të koalicioneve të udhëhequra nga SHBA-ja, kanë marrë pjesë jo një herë në operacione ushtarake kundër shteteve të ndryshme, duke përfshirë “misionin paqeruajtës” të armatosur në Ballkan, i cili përfundoi me ndërhyrjen ushtarake në punët e Bosnje dhe Hercegovinës (1995) dhe bombardimet ajrore të NATO-s në Jugosllavi (1999), të ashtuquajturën “luftë kundër terrorizmit” në Afganistan (2001), ndërhyrjen në Irak (2003), ndërhyrjen “humanitare” në Libi (2011), etj. Rezultati i këtyre ndërhyrjeve ishte i njëjtë – shtete të rrënuara, të shkatërruara, përhapje e terrorizmit. Pra, për çfarë largimi të evropianëve nga “fuqia e forcës” pretendon z.Shasha?
Do të ishte shumë më e dobishme për të gjithë kontinentin, nëse shtetet e Evropës do të përdornin vërtet “fuqinë e butë”, për shembull, duke detyruar regjimin e Kievit të përmbushë detyrimet e tij në kuadër të Marrëveshjeve të Minskut të 12 shkurtit 2015, duke garantuar në këtë mënyrë respektimin e të drejtave gjuhësore, kulturore dhe fetare të popullsisë rusishtfolëse dhe të pakicave kombëtare që jetojnë në Ukrainë, si edhe promovuar dialogun e drejtpërdrejtë midis Kievit dhe Donbasit. Në vend të kësaj, për tetë vjet vendet e Bashkimit Evropian nuk kanë vepruar duke parë me indiferentizëm abuzimet e regjimit të Kievit ndaj civilëve të rajonit. Nëse Kievi e konsideronte Donbasin pjesë të një Ukraine të bashkuar, atëherë evropianët duhej, brenda kornizës së “fuqisë së butë”, të detyronin regjimin ukrainas të vendoste një dialog të drejtpërdrejtë me Donetskun dhe Luganskun dhe të merrte parasysh interesat e tyre.
Ne e konsiderojmë të pabazë tezën se vendet e BE-së synuan marrëdhënie parneriteti me Rusinë, por Moska kinse nuk ishte e gatshme për këtë. Në realitet situata ishte pikërisht e kundërta. Për vite të tëra Rusia përpiqej të ndërtonte një partneritet të barabartë me Perëndimin. Ka pasur projekte me dobi të ndërsjellë të një bashkëpunimi praktik në fushën e ekonomisë, tregtisë, energjetikës, sigurisë dhe kulturës. Megjithatë, duke deklaruar me fjalë parimet e të qënit të hapur, Perëndimi dhe veçanërisht Evropa nuk guxuan të çmontojnë mekanizmat e frenimit, të mbetur nga epoka e konfrontimit të bllokut. Në vend të një politike bashkuese, u zgjodh strategjia e zgjerimit të NATO-s në Lindje. Nuk ishte e qartë, përse ishte e nevojshme të zgjerohej dhe forcohej aleanca ushtarake, nëse Organizata e Traktatit të Varshavës dhe BRSS pushuan së ekzistuari. Evropa gjithashtu mund të përdorte “fuqinë e butë” dhe vullnetin politik për të parandaluar shkatërrimin e Traktateve ABM (Raketave Kundërbalistike), INF (Për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi), TOS (Të Qiejve të Hapur) dhe CFE (Për Forcat e Armatosura Konvencionale). Dalëgadalë degraduan mekanizmat e bashkëpunimit në kuadër të OSBE-së. Propozimi i Rusisë për të nënshkruar në dhjetor 2021 me NATO-n dhe SHBA-në dy marrëveshje për garanci ligjërisht të detyrueshme të sigurisë, të cilat patën shansin për të hapur rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme në kontinentin tonë, u refuzua me kryelartësi nga vendet e Evropës dhe administrata e mëparshme e SHBA-së.
Z.Shasha kritikon Presidentin Trump për përpjekjet e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë, duke thënë qartë se këto përpjekje janë të destinuara të dështojnë. Por, në të gjitha vitet e mëparshme, politika evropiane dhe kursi i politikës së jashtme të J.Biden u ndërtuan pikërisht mbi bazën e parimeve të konfrontimit, pjesëmarrjes në veprimet ushtarake dhe zgjerimit të NATO-s. Ndoshta ka ardhur koha për të kuptuar kotësinë e një politike të tillë?
Sot, në sfondin e kontakteve të vazhdueshme ruso-amerikane për një zgjidhje diplomatike në Ukrainë, shtetet evropiane po deklarojnë dëshirën e tyre për t’u bërë pjesë e procesit të bisedimeve. Çfarë roli mund të luajë Bashkimi Evropian? Vendet evropiane, të udhëhequra nga narrativat e konfrontimit, po hartojnë iniciativa të reja për Ukrainën, duke përfshirë vendosjen e disa “trupave paqeruajtëse” atje. Megjithatë, vendosja në Ukrainë e forcave të armatosura të vendeve perëndimore, në çdo lloj formati, është e papranueshme për Moskën, siç tha qartë Ministri ynë i Jashtëm S.Lavrov. Z. D.Shasha në artikullin e tij shkruan për krijimin e “një Evrope të re” duke supozuar militarizimin e saj për një konfrontim të mëtejshëm me Rusinë. Është e qartë se sa e paqëndrueshme do të jetë një “paqe” e tillë. Siguria e vendeve në kontinentin tonë të përbashkët – Euroazi – nuk varet nga shuma e shpenzimeve për qëllime ushtarake, por nga gatishmëria për të krijuar një sistem të sigurisë ndërkombëtare, të barabartë dhe të pandashëm për të gjithë, nga refuzimi i qasjeve konfrontuese në këtë fushë. Ky është thelbi i propozimeve të bëra nga Presidenti i Rusisë, V.Putin më 14 qershor 2024.
*Titulli është i redaksisë
/Argumentum.al