Bankat gjigante krijohen me kalimin e viteve, ato nuk lindin të tilla. Kështu, bankat gjigante të Amerikës janë krijuar nga një sërë marrëveshjesh të nënshkruara përpara se kriza financiare të godiste këtë shtet, shkruan The Economist. NationsBank dhe BankAmerica u bashkuan dhe krijuan Bankën e Amerikës. Wells Fargo u bashkua me Norwest.
J.P. Morgan dhe Chase u shkrinë me njëra-tjetrën dhe më pas blenë edhe Bank One. Kriza financiare solli krijimin e më shumë bashkimeve, si nga domosdoshmëria ashtu edhe nga ambicia. Këtu mund të përmendin rastin e JPMorgan Chase që mori Washington Mutual, Wells dhe Wachovia.
Por që nga koha e krizës bashkimet janë zvogëluar në numër. Bankave shumë të mëdha u janë ndaluar blerjet me pakicë mbi baza të konkurrencës. Mbikëqyrësit po i miratojnë më shpejt bashkimet midis bankave apo institucioneve të reja.
Më 7 shkurt të këtij viti mori fund edhe periudha gjatë së cilës nuk ishin krijuar më bashkime të rëndësishme bankare, sepse BB&T, me seli në Winston-Salem, Karolinën e Veriut dhe SunTrust, nga Atlanta, Gjeorgji, deklaruan se do të bashkoheshin me njëra-tjetrën. Bashkim konsiderohet si një prej më të mëdhenjve që nga periudha e krizës.
Ajo do të jetë banka e gjashtë më e madhe e Amerikës në drejtim të aseteve, me rreth 332 miliardë dollarë amerikanë, dhe do të jetë edhe banka e pestë më e madhe për mbajtjen e depozitave në tregun e brendshëm dhe biznesi i saj do të përqendrohet në rajonin juglindor të vendit. Aksionet e të dyja bankave shënuan rritje në kohën që u bë lajmërimi për bashkimin dhe kjo gjë është e pazakontë sepse çmimet e aksioneve, veçanërisht ato të blerësve, kanë tendencë të bien kur bëhen njoftohen bashkime të tilla.
Mesatarisht, që prej vitit 2015 blerja e bankave ka pësuar rënie prej 3.3%. Megjithatë, BB&T, pa një rritje të çmimeve të saj me 4.3% ndërsa SunTrust u rrit me 10.2%. Edhe aksionet e dy partnerëve të tjerë, TCF Financial, nga Minesota dhe Chemical Financial, nga Miçigani, shënuan rritje pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të vogël të bërë publike më 28 janar të këtij viti.
Miratimi i tregjeve pasqyron dy ndryshime të cilat i kanë bërë bashkimet bankare më tërheqëse. E para ka të bëjë me heqjen e burokracive të tepërta. Majin e kaluar, Kongresi miratoi legjislacionin për të rritur pragun e aseteve nga 50 miliardë dollarë në 250 miliardë dollarë. Disa muaj më vonë, në tetor të 2018, Rezerva Federale propozoi një rritje më të lartë të pragut të aseteve nga 250 miliardë dollarë në 700 miliardë dollarë, por duke vendosur rregulla më të rrepta ndaj kapitalit dhe likuiditetit.
Kombinimi i BB&T dhe SunTrust mund të përfitojnë nga kjo gjë. Si banka të ndara, të dyja kanë qenë afër pragut të ri të vendosur nga Kongresi prej 250 miliardë dollarësh, BB&T me 226 miliardë dollarë dhe SunTrust me 216 miliardë dollarë. Në vend që të kapërcenin pragun dhe të ballafaqoheshin me koston e respektimit të rregullave shtesë në mënyrë individuale, ato u bashkuan, duke ndarë barrën së bashku.
Nëse Rezerva Federale avancon me propozimin e saj, banka e kombinuar do të ketë edhe shumë vite të tjera të rritjes organike përpara se të shqetësohet për pragun prej 700 miliardë dollarësh. Ndryshimi i dytë është se konkurrenca për depozitat po rritet. Bankat rajonale, nga të cilat BB&T dhe SunTrust janë ndër më të mëdhatë, kanë konkurruar me rivalët e tyre kombëtarë, nëpërmjet rrjeteve më të mira të degëve lokale. Por bankat fizike, sa do të shumta të jenë në numër nëpërmjet degëve në shtete të ndryshme nuk luajnë rol të rëndësishëm në drejtim të marrjes së depozitave. Një faktor me rëndësi është krijimi i aplikacioneve dhe i një sistemi efikas online, gjë që u jep avantazh bankave që kanë një sektor të zhvilluar të teknologjisë dhe planifikim të lartë buxhetesh për reklamat.
Bankat kombëtare duket se po fitojnë. Tre prej më të mëdhave, Banka e Amerikës, JPMorgan Chase dhe Wells Fargo, tërhoqën rreth 118 miliardë dollarë depozita të reja në vitin 2017. Ndërsa 20 bankat rajonale tërhoqën vetëm 55 miliardë dollarë depozita. Për të konkurruar me bankat kombëtare, bankave rajonale u duhet që të zgjerohen. BB&T dhe SunTrust pohojnë se ato do të reduktojnë 1.6 miliardë dollarë, ose 13% të kostove vjetore operative, një pohim i realizueshëm sipas analistit Keith Horoëitz nga Citigroup.
Dy selitë e bankave të mësipërme do të bashkohen në një të vetme, e cila do të jetë në Charlotte, Karolinën e Veriut, tashmë kryeqyteti bankar i rajonit (njëkohësisht edhe selia e Bankës së Amerikës). Dhe pikërisht në sajë të kursimeve të mësipërme, bashkimi i ri do të jetë në gjendje që të konkurrojë më lehtë me bankat e tjera kombëtare. Kjo bankë e krijuar nga bashkimi i BB&T dhe SunTrust do të ofrojë edhe një vlerë prej 100 miliardë dollarësh në vit në drejtim të zhvillimit të sektorit të teknologjisë brenda bankës. Analisti në Morgan Stanley, Betsy Graseck, vë në dukje një mungesë bankash me asete midis vlerës prej 500 miliardë dollarësh dhe 700 miliardë dollarësh. Kjo i krijon hapësirë bankave që të bashkohen dhe të qëndrojnë poshtë pragut të ri të propozuar nga Rezerva Federale.
Ndërsa Mike Mayo, analist në Wells Fargo beson se ka pak partnerë të mundshëm me një mbivendosje që do të gjeneronte kursimet e premtuara nga BB&T dhe SunTrust. Natyrisht, që edhe një marrëveshja shoqërohet me rreziqe të ndryshme, thotë më tej z. Mayo.
Ai thekson se përpjekjet për të bashkuar sisteme të papërshtatshme kanë rezultuar të rrezikshme në të kaluarën. Por sfidat teknike të ditëve të sotme janë më të vogla se ato me të cilat përballeshin bankat që bashkoheshin rreth dy dekada më parë, gjë që redukton mundësitë për gabime.
Tërheqja e klientëve të rinj pa u shkëputur nga ata të vjetrit mund të jetë një pengesë e madhe. Historia e të dyja bankave lidhet me atë të vendeve të tyre përkatëse. Logot e tyre kanë zbukuruar stadiumet e qyteteve të tyre. SunTrust financoi zgjerimin ndërkombëtar të Coca-Cola, marka më e famshme në Atlanta. Coca-Cola, nga ana tjetër, mbajti të fshehtë recetën e saj për vite me radhë. Klientët e BB&T mund të jenë të ndërgjegjshëm për një bashkim më të madh.
Elizabeth Warren, senatore demokrate, një prej kandidateve për presidente për vitin 2020, si dhe një prej kritikeve më të zjarrta të krijimit të bankave të mëdha, beson se derregullimi do të krijojë një sërë bashkimesh, të cilat do të dëmtojnë konsumatorët.
Megjithatë, kjo bankë e re do të jetë më pak se një e gjashta e bankës më të madhe në Amerikë. Edhe pse Amerika ka rreth 5.000 banka, tre prej më të mëdhave kontrollojnë shumicën e tregut. Prandaj bankave rajonale u duhet që të pajisen sa më mirë për të konkurruar fuqishëm me bankat gjigante.