Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike Shqiptare në Mal të Zi kanë përfunduar me sukses misionin e filluar për bashkimin e subjekteve shqiptare për zgjedhjet lokale të 3 marsit për Komunën e Tuzit.
ASH, LDSH dhe UDSH i bashkoi Malësia dhe rëndësia e këtij procesi historik zgjedhor, ka thënë Nik Gjeloshaj, transmeton Malësia.
Të gjithë ne , së bashku me diasporën e realizuam Komunën e Malësisë, ndërsa bashkimi ynë ishte obligim moral dhe kombëtar, është shprehur Gjeloshaj, ndërsa ka shtuar se me këtë veprim, realizuam me sukses kërkesën bazë të qytetarëve shqiptarë. Jemi të sigurt që ky unifikim, përveç qytetarëve, do të përkrahet fuqishëm edhe nga diaspora jonë, kudo ndodhet.
Prezenca e tyre këtu në Malësi do ta konfirmoj angazhimin tonë të përbashkët për një Malësi shqiptare për jetë e mote.
Pavarësisht kritikave që kemi pasur, kjo klasë politike që sot bashkon shqiptarët në një koalicion, e ka dëshmuar se e do Malësinë, e kemi dëshmuar se kemi kapacitet ta drejtojmë dhe ruajmë Malësinë, amanet ashtu si na e lanë të parët, citon Malësia Nik Gjeloshajn.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur këtë të mërkurë marrëveshjen e partive shqiptare në Mal të Zi, të cilat kanë formuar një koalicion të përbashkët për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 mars në komunën e Tuzit.
Teksa e konsideron një veprim të mencuar të udhëheqësve politike shqiptarë, në Mal të zi Meta shprehte besimplotë se kjo është një fitore për komunën dhe një shembull i bashkëjetesës në një shoqëri. Tuzi është historikisht një qytet me shumicë shqiptare, atje ka edhe disa grupe të vogla etnike, si boshnjakë, malazezë etj.
“E përshëndes vendimin e mençur të udhëheqësve të subjekteve politike shqiptare në Malin e Zi për arritjen e marrëveshjes për formimin e një koalicioni të përbashkët parazgjedhor për zgjedhjet lokale të 3 marsit në Komunën e Tuzit. Duke u uruar suksese në këtë garë elektorale, jam besimplotë se kjo marrëveshje është një hap në drejtimin e duhur për fitoren dhe drejtimin e Komunës së Tuzit përmes bashkëpunimit por edhe bashkëjetesës shembullore me malazezët dhe me të gjithë grupimet e tjera“, shkruan Presidenti Meta ne rrjetin social.