Realpolitik “ flash” Nr. 38 / 3 – 18 JANAR 2022
EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 5 ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur
Dr. Jorgji KOTE
1.Bast i madh politik është vërtetë ai që ka vënë Presidenti Macron, duke marrë kryesimin e radhës së BE-së për këtë 6 Mujor. Bast i fortë dhe jetik për fatin e tij politik, por dhe të Francës e të BE-së, për shkak të sfidave të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë. Në Prill ai do të kërkojë një mandat të ri presidencial, përballë 10 kandidaturave, nga të cilat 5 gra. Njera e republikanëve tradicionalë të ringritur, Precesse, e cila pohon se është “ 2/3 Thatcher dhe 1/3 Merkel”; në kampin ekstremist, Le Penit i është shtuar dhe Eric Zemmour, të dy duan me çdo kusht Presidencën. Në Qershor janë zgjedhjet parlamentare po aq të rëndësishme. Më të shumta e të vështira janë sfidat e jashtme; duke filluar nga omikroni, që ka përfshirë Francën dhe gjithëandej. Kriza serioze me Rusinë është bërë tejet kërcënuese për fatet e BE-së dhe të NATO-s; gjendja në Bjellorusi, Lindjen e Mesme, rregullimi europian i azilit dhe emigracionit, reformimi dhe zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perendimor po “ulërasin” për zgjidhje. Ndaj, me bastin e tij të fortë, Macron e ka ngritur shumë lart “stekën” kombëtare, europiane dhe gjeopolitike. Urojmë ta fitojë!
- Vetëm “ përkatësi”? Kjo pyetje shqetësuese lind sapo njihesh me programin dhe prioritetet e Presidencës franceze të BE-së mbi Ballkanin Perendimor. Logoja e këtij prioriteti të tretë ëshë “ Përkatësi” e tij në BE. Por vetëm aq, pa gjëra të qarta, data dhe negociata për dy vendet tona. Por, pëmendet një Konferencë e BE-së për Rajonin; mirëpo, aty vetëm se do të “ qartësohet” situata. Këtu fshihet “hilja” dhe “lepuri” francez; sepse Macron vitet e fundit e ka vështirësuar zgjerimin; madje, nëse fiton në Prill, pritet të vijojë idenë e tij të rindërtimit të BE-së me “2 apo 3 shpejtësi/rrathë koncentrikë”; ku Balkani Perendimor mund të jetë në periferi. Gjithsesi, le të shpresojmë më të mirën, mbasi tashmë dihet se zgjerimi nuk është më temë “ sexy” në Europë; me të vetëm humbet pikë, vota dhe moment. Këtu ka gjynahet e veta dhe çdo vend i rajonit.
- Pa eufori! Padyshim që zgjedhja për herë të parë në KS të OKB si Antar Jo i Përhershëm ( 2022 – 2023) është arritje e shënuar diplomatike. Do jemi në tryezë me 15 më të mëdhenjtë. Do të na dëgjohet më shumë fjala, do të mësojmë e ndihmojmë lidhur me zgjidhjen e krizave dhe konflikteve të tjera. Por, aq, pa eufori, sikur çoç do të bëhet. Sepse pesha jonë reale dihet, vendi më i vogli nga çdo anë krahasuar me antarët e tjerë të përkohshëm ( India, Brazili, Meksika, Irlanda, Norvegjia, EBA, Gana, Kenia, Gaboni) Atje janë 5 të mëdhenjtë e botës që kanë fjalën e fundit. Në bashkëpunim me partnerët tanë kryesorë mund të bëjmë diçka dhe për Kosovën, sidomos për shtimin e njohjeve. Por, praktikisht jo më shumë. Asnjë ndikim në gjendjen tonë të brendshme, në problematikat ekonomike dhe sociale. Sepse e kemi të keqen brenda e jo jashtë. Veç kësaj, zgjedhja jonë në forumin më të lartë të OKB-së është rutinë e vonuar, kur pothuajse nuk ka mbetur kush tjetër në botë pa u zgjedhur atje; Madje, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë patur dhe Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së!
4.Siguri nga Rusia me Rusinë! Ky është përfundimi që del pas bisedimeve dhe konsultimeve të javës së kaluar ndërmjet Rusisë, SHBA-ve dhe NATO-s në Gjenevë, Bruksel dhe Vjenë. Pavarësisht nga rezultatet, ato do të vijojnë, në përpjekje për çtensionimin e situatës. Gjë e mirë që të gjitha palët pranuan bisedimet diplomatike në vend të përshkallëzimit të forcës ushtarake. Ka ardhur koha të kuptohet se Rusia dhe Kina nuk kanë ndërmend të ndryshojnë qëndrimet dhe pretendimet e tyre. Këtë e kanë shprehur hapur dhe me nisma konkrete të njohura. Tanimë të bashkuara ato duan rikthimin në arkitekturën e sigurimit përpara viteve 90. Vërtet që në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare Rusia mund të mos jetë ende aq përcaktuese, por lidhur me sigurinë, sidomos në Europë, absolutisht po. Çdo nënvleftësim i këtij fakti do të ishte me pasoja të pallogaritshme, sikurse dhe përshkallëzimi i mëtejshëm ushtarak rus.
Në këto kushte, mund të lind nevoja e garantimit të sigurisë europiane, nëpërmjet “ masave të krijimit të besimit” sipas Kartës së Helsinkit dhe të Parisit. Mirëpo, siguria europiane në rastin konkret nga Rusia mund të garantohet vetëm në bashkëpunim me Rusinë. Ja pse, siç kanë theksuar me të drejtë shumë ekspertë dhe politologë të shquar, dhe siç u dakordësuan ministrat e jashtëm të BE-së në takimin e 10 Janarit, me Rusinë do ndjekur strategjia “ dialog diplomatik dhe dekurajim ushtarak” Ndryshe, vetëm me sanksione, sado të ashpra qofshin, nuk mund të ketë rezultate të prekshme. Pasojat e tyre në fakt bien më shumë mbi njerëzit e thjeshtë, ndërsa liderët nacionalistë i shfrytëzojnë ato si “municion” për të forcuar më tej pozitat e tyre.
- Shumë Erdoganizëm, pak Europianizëm! Vizita e Presidentit turk Erdogan në Tiranë me nderimet më të larta shtetërore ishte normale dhe për reciprocitet me protokollin që iu rezervua Kryeministrit Rama vitin e kaluar në Ankara. Turqia ëshë partner i madh në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, nisma rajonale dhe mbështetësja jonë e fuqishme. Erdoganizmi ka qenë i pranishëm më shumë këto vitet e fundit. Shqetësimi është që ai të mos lerë në hije objektivin dhe aleatët tanë më të mëdhenj strategjikë, SHBA dhe BE-në. Madje, Europianizmi duhet të prevalojë në marrëdhëniet më të gjitha vendet e tjera. Mirëpo, Rama vuri shenjën e barazimit ndërmjet tyre kur deklaroi se “ ne nuk jemi as me Turqinë dhe as me BE-në, por me shqiptarët” Në fakt, ai nuk i kurseu furçet dhe komplimentat për Erdoganin dhe Turqinë, por nuk tha asnjë fjalë të mirë për BE-në dhe vlerat e saj, të cilën bashkë me SHBA-të i renditi çuditërisht pas Turqisë! E kundërta duhej të ndodhte; sepse SHBA-të dhe BE-ja në 30 vitet e fundit janë kontribuesit dhe mbështetësit më të mëdhenj në radhë të parë të demokracisë që nuk u përmend fare e deri te pandemia më e fundit; me 3,3 miliard Euro, veç qindra miliona Euro për tërmetin e 26 Nëntorit dhe së fundi me 30 miliard Euro për investimet në rajon, etj. Europianizmi mbi gjithçka!
© 2022 Argumentum