Banka Botërore ka rishikuar projeksionet e rritjes ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm. Përfundimet e institucionit me bazë në Uashington dalin në pah në raportin më të fundit të projeksioneve të ekonomisë globale, të sapopublikuara. Sipas këtyre projeksioneve, ekonomia shqiptare projektohet të rritet me 3.7% këtë vit dhe po kaq vitin e ardhshëm. Në raportin e kaluar, atë të prillit, vetëm për Ballkanin Perëndimor, rritja projektohej në 3.8% për këtë vit dhe 3.6% për vitin e ardhshëm.
Pra, për këtë vit projeksionet janë zhvlerësuar me 0.1 pikë përqindje, ndërkohë që vitin e ardhshëm janë rritur me po kaq. Këto projeksione vijnë në një periudhë krize politike të rëndë që ka përfshirë vendin dhe për të cilën shumë organizma po paralajmërojnë se do të ketë impakt në ekonominë e vendit.
Për Bankën Botërore duket se kjo nuk qëndron edhe aq, pasi zhvlerësimi që i ka bërë ekonomisë është minimal, ndërkohë që në periudhën afatmesme duket madje të jetë edhe më optimiste se dy muaj më parë. Institucioni ka rishikuar me 0.3 pikë përqindje edhe projeksionet e rritjes ekonomike për 2021, në 3.8% tanimë. Banka Botërore publikon çdo 6 muaj projeksionet për ecurinë e ekonomisë globale. Në raportin e publikuar në muajin prill, Banka Botërore paralajmëronte për rreziqet që i kanosen ekonomisë nga kriza politike dhe ngadalësimi i reformave.