Fondi i Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), nisma e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe përfituesve, që synon të rrisë harmonizimin dhe bashkëpunimin në investime për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit, po koordinon financimin e segmentit të autostradës Adriatiko-Joniane, Murriqan – Lezhë, pjesë e rrjetit kryesor rrugor europian (TEN-T).
Në një vlerësim të publikuar nga WBIF, kostoja totale e projektit vlerësohet 255.1 milionë euro. Nga këto, sipas WBIF-së, 127.9 milionë euro janë kredi. Për 100 milionë euro është aplikuar për grant nga qeveria shqiptare pranë WBIF. Po ashtu nga buxheti qeveria shqiptare do të kontribuojë me 30.3 milionë euro.
Afati i përfundimit të këtij aksi të rëndësishëm është planifikuar viti 2029. Autostrada Murriqan – Lezhë (Balldren) do të ketë gjatësi prej 41 km shtrirje të re. Kategoria e propozuar e projektimit është “A”, me shpejtësi 120 km/h. Ky segment parashikohet të ketë disa vepra arti. Gjithashtu në këtë projekt, duke qenë se autostrada do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga hyrjet anësore, parashikohet edhe ndërtimi i rrugëve paralele të dy krahët në zonat e banuara.
WBIF po financon përmes një granti në vlerë 1.6 milionë eurosh hartimin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social.
Projekti i Korridorit Blu ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh. Në segmentin Thumanë – Kashar po vijon puna me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve. Për segmentet Milot – Thumanë / Kashar – Lekaj / Lekaj – Fier kanë përfunduar garat dhe janë tanimë gati tri kontrata të reja, që po lidhen për të nisur menjëherë nga puna.
Për segmentin Milot – Balldren pritet të hapet gara e ndërtimit. Muriqan – Lezhë është segmenti lidhës me Malin e Zi, për të cilin aktualisht konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në Dhjetor 2023.
Autostrada Adriatiko-Joniane në territorin shqiptare nis në Muriqan dhe vazhdon në Balldren, Milot, Thumanë, Kashar, Lekaj, Konjat, bypass-in e Fierit, Levan, Poçem, Memaliaj, Subash, bypass-in e Gjirokastrës dhe përfundon në Kakavijë, në 13 segmente me gjatësi 318 kilometra, duke përfshirë edhe bajpasin e Fierit.
Korridori Adriatiko-Jonian është pjesë e Rrjetit Kryesor të Rrugëve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu pjesë e zgjatimit të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili u miratua zyrtarisht në 2016-n.
Korridori Rrugor Adriatiko-Jonian do të lidhë Evropën Qendrore dhe Italinë Veriore me pjesën Joniane të gadishullit ballkanik nëpërmjet Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë. Lidhja rrugore është planifikuar të shtrihet përgjatë bregut lindor të deteve Adriatik dhe Jon, që përfshin bregun perëndimor të Gadishullit Ballkanik nga Trieste në Itali në Kalamata, Greqi.
Projekti është i përfshirë në portofolet e projekteve kombëtare shqiptare dhe malazeze dhe është një projekt prioritar i nivelit kombëtar dhe rajonal. Gjatësia e përgjithshme e vlerësuar e korridorit Adriatiko-Jonian nga Italia deri në Greqi është përafërsisht 1550 km.
/Argumentum.al