Bashkimi Evropian e ka cilësuar si “shantazh” dhe e konsideron si të “papranueshëm dhe të padrejtë” ndërprerjen e furnizimit me gaz nga Rusia për Poloninë dhe Bullgarinë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri një deklaratë pasi kompania ruse e energjisë Gazprom ndërpreu rrjedhën e gazit për disa vende të BE-së.
“Gazprom ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme furnizimin me gaz për klientët e saj në Evropë”, tha Von der Leyen, e cila shtoi se kjo është një përpjekje e Rusisë për të përdorur gazin natyral si një mjet shantazhi.
Ajo tërhoqi vëmendjen se ndërprerja e furnizimit me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë nga Rusia është e “papranueshme dhe e padrejtë”.
“Kjo situatë ka zbuluar edhe njëherë se Rusia është një furnizues jo i besueshëm i gazit natyror. Jemi të përgatitur kundër këtij skenari”, tha Von derr Leyen.
Më tej presidentja e KE-së vuri në dukje se janë në kontakt të afërt me të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe po punojnë që të sigurojnë furnizime alternative dhe nivelet më të mira të mundshme të depozitimit.
Sipas saj, vendet e BE-së kanë formuar plane të situatës emergjente për skenare të tilla dhe se në kuadër të kësaj është zhvilluar takimi i koordinimit për gazin.
Von der Leyen shtoi se vendet e BE-së kanë përgatitur plan për ndërhyrje të përbashkët ndaj kësaj situate.
Ajo njoftoi se do të vazhdojnë të punojnë me partnerët ndërkombëtarë për të gjetur burime alternative për gazin natyror. “Ne do të vazhdojë të punojmë me liderët evropianë dhe botërorë për të garantuar sigurinë e furnizimin me energji në Evropë”, potencoi Von der Leyen.
Von der Leyen tha se janë në solidarizim dhe unitet me vendet anëtare të BE-së që janë prekur nga kjo situatë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin më 23 mars njoftoi planin për të kaluar në rublën ruse në pagesat për gazin natyror.
Sipas sistemit të ri që hyri në fuqi me një dekret të firmosur nga Putini më 31 mars, vendet që blejnë gazin rus duhet të hapin llogari nga ‘Gazprombank’ dhe pas pagesave në këtë bankë mund t’i konvertojnë fondet në fjalë në Bursën e Moskës.
Në një deklaratë pas nënshkrimit të dekretit, Putin tha se do të ndërpresin marrëveshjet e gazit nëse vendet jomike nuk pranojnë sistemin e ri.
Kompania ruse e energjisë Gazprom deklaroi se kanë ndërprerë furnizimin me gaz natyror për Bullgarinë dhe Poloninë me arsyen se nuk kanë zbatuar sistemin e pagesës me rubla.