Gjermania dhe Franca e kanë zgjidhur grindjen mes tyre për linjën gazsjellëse Nord Stream 2. Berlini dhe Parisi parashtruan një propozim tjetër për rishqyrtimin e direktiva europiane për gazin, që u miratua prej vendeve të tjera europiane. Këtë e konfirmoi kancelarja Angela Merkel në Berlin.
Sipas dokumentit të kompromisit, që e citojnë agjencia e lajmeve AFP dhe studioja e ARD-së në Bruksel, sovraniteti i rregullimit për linjat gazsjellëse me vendet e treta si Rusia i përket vendit të BE-së, ku linja takon për herë të parë rrjetin europian. Në rastin e Nord Stream 2 linja kalon përmes Detit Baltik dhe si rrjedhojë është Gjermania ajo që vendos.
Furnizimi dhe linjat jo në një dorë
Në Bruksel u shtrua për votim rishikimi i direktiva të BE-së për gazin. Gjermania e kundërshtoi draftin e parë të Komisionit dhe i vari shpresat tek Franca që ishte në anën e saj. Të enjten (07.02) qeveria në Paris megjithatë komunikoi, se do të votojë për ashpërsimin e rregullave. Një dokument kompromisi i paraqitur në minutën e fundit mundi t’i bindë tani edhe shtetet e tjera.
Komisioni i BE-së do të arrijë përmes rishqyrtimit të drektivave, që të vendosen rregulla më të rrepta për linjat gazsjellëse brenda BE-së dhe për tubacionet e gazit jashtë unionit. Në bazë të këtyre rregullave të reja në të ardhmen menaxhimi i linjave transportuese dhe furnizimi me gaz natyror duhet të jetë të ndara në mënyrë strikte. Por mbi bazën e dokumentit të kompromisit, që u miratua, e gjitha kjo nuk do të rregullohet më prej komisionit. Gjermania do t’i drejtojë vet bisedimet për Nord Stream 2 me palën ruse – e kësisoj ajo do ta avancojë proejktin. Megjithatë Komisionit do t’i mbetet mundësia e kontrollit.
Sipas planit të mëparshëm koncerni rus Gazprom do të furnizonte përmes kësaj linje në Europën Perëndimore jo vetëm gaz natyror, por do të kishte edhe sovranitetin ndaj rrjetit të linjës gazsjellëse. Shumë shtete, në radhë të parë SHBA-ja, paralajmëruan, që me këtë Moska do të kishte në dorë një levë të rëndësishme për t’ia mbyllur sipas dëshirës rubinetin Perëndimit.
Në një artikull shkruar për Deutsche Wellen nga autorë të jashtëm, tre ambasadorë amerikanë në shtetet e BE apeluan që nëpërmjet një reforme të rregullave të BE për furnizimin me gaz, të ndërpritet projekti që ka filluar tashmë. “Nord Stream 2″ do të rriste ndjeshmërnë e Europës ndaj presionit rus në fushën e energjisë”, shkruajnë ambasadorët amerikanë në Gjermani, Danimarkë dhe BE. Europa duhet të ruajë kontrollin në sigurimin e energjisë. “Ka ende kohë që Europa të ndërhyjë dhe të pengojë ndërtimin e gazsjellësit. Por ne jemi duke humbur kohë”, thonë Richard Grenell, Carla Sands dhe Gordon Sondland në artkullin për DW. Politika dhe ekonomia gjermane reaguan në mënyra të ndryshme ndaj kësaj ndërhyrjeje amerikane, disa me mirëkuptim dhe disa kundër.