Bashkimi Evropian (BE) ka ftuar liderët e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian plus 17 vende evropiane, përfshirë Türkiye-n, në takimin e parë të Bashkësisë Politike Evropiane, theksoi sot një zyrtar i BE-së.
Ftesat për takimin e nënshkruar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministri çek, Petr Fiala u dërguan sot, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Liderët do të mblidhen në kryeqytetin çek Pragë më 6 tetor.
Krerët e shteteve nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe 17 vende evropiane, Türkiye, Britania e Madhe, Ukraina, Azerbajxhani, Armenia, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Zvicra, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia dhe Gjeorgjia, janë të ftuar të marrin pjesë.
Bashkësia Politike Evropiane është një platformë për koordinimin politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin, duke synuar “të bashkojë liderët nga vendet evropiane në baza të barabarta dhe në një frymë uniteti, një ose dy herë në vit”, tha zyrtari.
Të gjithë udhëheqësit do të marrin pjesë në një sesion hapjeje dhe në darkën përmbyllëse, do të mbajnë bisedime dypalëshe dhe do të marrin pjesë në grupe më të vogla në diskutime në tryeza të rrumbullakëta mbi tema të ndryshme si stabiliteti, energjia, klima, lëvizshmëria dhe ekonomia.
Krerët e BE-së do të mbajnë një samit jozyrtar të nesërmen.
Eventet do të priten nga qeveria çeke, e cila mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian në korrik.
Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi në maj krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane me pjesëmarrjen e vendeve të BE-së dhe fqinjëve për të adresuar sfidat e përbashkëta politike dhe të sigurisë.
/Argumentum.al