Bashkimi Evropian (BE) e ka miratuar të mërkurën pakon e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, njoftoi presidenca belge në rrjetin social X.
“Ambasadorët e BE-së sapo u pajtuan në parim për pakon e 13-të të sanksioneve në kornizën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha presidenca belge.
Kjo është njëra prej pakove “më të gjera” të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, sipas saj.
Gati 200 subjekte dhe individë janë futur në listën e sanksioneve me pakon e re.
“Mirëpres miratimin e paketës sonë të 13-të të sanksioneve kundër Rusisë. Ne duhet të vazhdojmë të reduktojmë makinerinë e luftës së Putinit. Me këto masa kufizuese, ne rrisim presionin mbi Kremlinin. Gjithashtu po reduktojmë më tej aksesin e Rusisë te dronët”, shkroi Ursula von der Leyen në X.
”Kemi një marrëveshje për paketën e 13-të! Po shtojmë gati 200 persona dhe subjekte në paketën tonë duke e çuar listën e BE-së në mbi 2000”, tha shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell.
”Me këtë paketë, ne po ndërmarrim veprime të mëtejshme kundër subjekteve të përfshira në sektorët e mbrojtjes dhe ato ushtarake”, shtoi ai.
Pakoja do të aprovohet formalisht në kohë për përvjetorin e dytë të fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.