Rusia ka formuluar kushte për një armëpushim në Detin e Zi dhe bëri thirrje për lehtësimin e sanksioneve. BE-ja tha se është e gatshme, por me kushte.
BE-ja refuzon t’i heqë sanksionet për prodhimet bujqësore ruse. Moska e vuri këtë si kusht për të rënë dakord për një armëpushim në Detin e Zi.
BE-ja është informuar për propozimet për të siguruar transport të sigurt dhe për t’u dhënë fund sulmeve ndaj objekteve energjetike në Ukrainë dhe Rusi, tha në Bruksel një zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Tani Rusia duhet të tregojë vullnet të vërtetë politik për t’i dhënë fund luftës së saj agresore, të paligjshme dhe të paprovokuar.
BE-ja e gatshme, por me kushte
BE-ja është e gatshme të mbështesë hapat e ardhshëm së bashku me Ukrainën, SHBA-në dhe partnerë të tjerë. Një zëdhënëse tjetër e Komisionit të BE-së tha: “Fundi i agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus në Ukrainë, si dhe tërheqja e pakushtëzuar e të gjitha forcave të armatosura ruse nga i gjithë territori i Ukrainës, do të ishte një nga parakushtet më të rëndësishme për ndryshimin ose heqjen e sanksioneve”.
Spekulime për qëllimin e kushteve ruse
Siç njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa, e cila u referohet përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe diplomatëve, kushtet e formuluara nga Moska për zbatimin e marrëveshjes me shumë gjasa nuk janë biseduar dhe koordinuar me administratën amerikane të Presidentit Donald Trump. Prandaj ato mund të shërbejnë kryesisht për të ngadalësuar përpjekjet për të arritur një armëpushim në Ukrainë.
Qarqet e BE-së theksuan se gjëja më e rëndësishme në të gjitha hapat e mundshëm është që ato të jenë në interes dhe në dobi të Ukrainës. Prandaj një lehtësim i disa prej sanksioneve do të ishte i imagjinueshëm, nëse do të kontribuonte për një zgjidhje paqeje të pranueshme për Ukrainën./DW