Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, përshëndeti udhëzimet e miratuara këtë të enjte nga KQZ lidhur me financimet e partive.
Në një postim në rrjetet sociale Soreca shkruan se “udhëzimet e miratuara sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve krijojnë një ndjekje pro-aktive të rekomandimeve të OSBE-ODIHR për financimin e partive politike”.
Për Sorecën, miratimi i këtyre akteve nënligjore paraqet një hap të parë të mirë në drejtimin e duhur.
Soreca shton se “këto udhëzime duhet të ndiqen nga një përpjekje më e gjerë nga të gjitha palët politike për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të tjera të OSBE / ODIHR, që në disa raste nuk kërkojnë amendim të kodit zgjedhor dhe mund të çohen përpara nga qeveria.
Ekspertët kontabël dhe të auditit do të monitorojnë në terren shpenzimet e partive politike dhe të kandidatëve të tyre për fushatën zgjedhore të 30 qershorit dhe do ti krahasojnë të dhënat me faturat e blerjes.
Ka qenë ky një ndër vendimet që është miratuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të rritur monitorimin dhe kontrollin mbi financimet dhe shpenzimet në fushatë.