Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë të martën se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen e arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.
Komentet pasuan deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë me televizionin shtetëror serb se “do t’i zbatojë disa pjesë të marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë” dhe se një gjë të tillë ua ka bërë të qartë edhe zyrtarëve të lartë evropianë, duke ju referuar pjesës së marrëveshjes, që ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Me 18 mars në Ohër, presidenti serb Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha të martën se ky është detyrim politik që morën mbi vete të dyja palët dhe shtetet anëtare të bllokut presin zbatimin e tij.
“Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kuadrit negociues (për anëtarësim) në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka detyrim kontraktual që të zbatojë pikat e marrëveshjes, nëse dëshiron të përparojë në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një detyrim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj“, tha zëdhënësi Stano duke paralajmëruar pasoja për cilëndo palë që refuzon të zbatojë ndonjë pjesë të marrëveshjes.
“Vëzhgimi i i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja duke u zbatuar. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacionin por edhe pasoja financiare”, tha ai.
Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi organizimin e një takimi të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë këtij muaji, për të çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjes.
Paralajmërimi pasoi takimin e javës që lamë pas ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, të cilët u pajtuan për tekstin e deklaratës mbi personat e zhdukur gjate luftës si dhe diskutuan për hapat drejt themelimit të asociacionit dhe zbatimit të marrëveshjeve të tjera të arritura në bisedimet e mëhershme në Bruksel.