Bashkimi Evropian ka nisur zyrtarisht një hetim mbi subvencionet kineze për prodhuesit e automjeteve elektrike, të cilat mund të çojnë në vendosjen e detyrimeve ndëshkuese për importet në bllok.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha muajin e kaluar se do të hapej një hetim kundër subvencioneve, pasi ajo akuzoi Pekinin për vërshimin e tregut global me makina elektrike të lira.
“Çmimi i tyre mbahet artificialisht i ulët nga subvencionet e mëdha shtetërore. Kjo po shtrembëron tregun tonë,” akuzoi ajo.
Hetimi mund të çojë potencialisht në vendosjen e detyrimeve ndëshkuese për importet në BE.
Makinat elektrike kineze janë zakonisht rreth 20% më të lira se modelet e prodhuara në bashkimin 27-anëtarësh, tha Komisioni Evropian, duke shtuar se pjesa e Kinës e automjeteve elektrike të shitura në BE mund të arrijë në 15% deri në vitin 2025.
Në Gjermani, ka frikë se industria e saj e automobilave mund të pësojë goditje nga hetimi.
Prodhuesit gjermanë të automobilave shitën 30% deri në 40% të makinave të tyre në tregun kinez, tha drejtori i Qendrës për Kërkime Automobilistike, Ferdinand Dudenhöffer. Sipas tij, kompanitë gjermane do të ishin objektivi i parë i kundërmasave nga Pekini.
Ministria e Tregtisë e Kinës e ka cilësuar hetimin e BE-së si “sjellje proteksioniste të zhveshur” që do të ketë “një ndikim negativ” në marrëdhëniet.
Nisja zyrtare e hetimit të BE-së erdhi në një njoftim në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian të mërkurën.
BE-ja ka vendosur tashmë detyrime anti-dumping për panelet diellore nga Kina./dpa-Argumentum.al