Gjendja në Siri po bëhet edhe më konfuze për shkak të sulmit turk mbi kurdët. BE i trembet terrorizmit të ri, por nuk ka një politikë të përbashkët dhe mundësi për të luajtur një rol. Nga Brukseli informon Bernd Riegert.
Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë qenë të rezervuar me reagimet zyrtare ndaj fillimit të ofensivës ushtarake turke në territoret kurde, në Verilindje të Sirisë. Edhe pasi kanë kaluar shumë orë pasi presidenti turk, Recep Tajip Erdogan bëri realitet kërcënimet që kish bërë më parë dhe SHBA tërhoqi trupat e saj, e ngarkuara e BE me politikën e jashtme, Federica Mogherini nuk ka lëshuar asnjë fjalë vetë. Asaj i duhet kohë për të përmbledhur në një qëndrim të përbashkët, pozicionimet e 28 vendeve anëtare të BE.
Vetëm një zëdhënëse e Mogherinit deklaroi dje në përgjithësi se “konfrontimet e armatosura jo vetëm që rrisin vuajtjet e popullsisë civile dhe shkaktojnë lëvizje masive të popullsisë,” por rrezikojnë edhe diplomacinë që është duke punuar për të zgjidhur konfliktin sirian. Edhe qeveria gjermane tha një zëdhënëse, paralajmëron para përshkallëzimit të krizës.
Macron në solidaritet
Vetëm presidenti francez Emmanuel Macron mori përsipër të fliste vetë ditën e mërkurë dhe u takua në Paris me përfaqësues të milicëve kurdë, që duan t’ i përgjigjen ushtarakisht presidentit turk Erdogan. Macron tha se është “shumë i shqetësuar” për perspektivën e një ndërhyrjeje ushtarake. Ai siguroi zëdhënësin e “Ushtrisë Demokratike Siriane” (SDF) të drejtuar nga kurdët, se Franca do të vazhdojë të jetë solidare me kurdët. Franca dhe Britania e Madhe donin të kërkonin një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit të OKB. Të hënën e ardhshme ministrat e jashtëm të BE do të merren me zhvillimet e fundit në Siri në takimin e rregullt që pritet të mbahet në Luksemburg.
Tetë vitet e fundit BE është munduar të zbusë pasojat humanitare të luftës në Siri dhe të gjejë një zgjidhje politike për konfliktin, së bashku me Kombet e Bashkuara. Europianët nuk ishin të gatshëm për sulm ushtarak tokësor, megjithëse kjo nuk i pëlqeu SHBA. Vetëm Franca dhe Britania e madhe morën pjesë në sulmet ajrore kundër milicëve të Shtetit Islamik në Siri.
“BE pa politikë të përbashkët”
E ngarkuara e BE me politikën e Jashtme, Federica Mogherini përmend vazhdimisht se BE ka zhvilluar tre konferenca donatorësh për Sirinë dhe ka shpenzuar rreth 11 miliardë euro për ndihma humanitare. Megjithatë për rastin e Sirinë nuk mund të flitet vërtet për një politikë të përbashkët të BE, thotë Jasmine El-Gamal nga Think Tank “Atlantic Council” me seli në Bruksel. “Nevojitet një politikë konsistente dhe bashkëkohore e BE për Sirinë, por ajo nuk ekziston. Ne flasim gjithnjë çfarë duhet të bëjë BE. Por nëse sheh shtetet e veçanta anëtare, atëherë dallon, se ekzistojnë ide të ndryshme. Disa janë më shumë luftarakë, të tjerët duan të presin. Nuk ekziston unanimitet sa i përket trajtimit që i duhet bërë pushtetmbajtësit sirian, Assad. Në çështjen e kthimit të luftëtarëve të IS ose çështjen e trajtimit të refugjatëve ka secili vend i BE mendim të ndryshëm.” Kështu ekziston rreziku që zëri i Europës të mos luajë më asnjë rol, thotë Jasmine El- Gamal për Deutsche Wellen.
Harta e Sirisë dhe territoreve të kontrolluara nga Turqia
Prioritet ka marrëveshja e bërë me Turqinë për refugjatët
Kjo është çështja për të cilën BE ka qenë e gatshme deri tani, thotë eksperti i politikës së jashtme në fraksionin konservator të Parlamentit Europian, Michael Gahler. Ka vite që europianët kanë qëndruar jashtë konfliktit të Sirisë, thotë ai. “Si rezultat ne nuk kemi tani asnjë mundësi të ushtrojmë ndikim,” thotë ai. Edhe vetë mundësia e ushtrimit të ndikimit të BE mbi Turqinë, vend i cili zyrtarisht është kandidat pranimi, vazhdon të jetë shumë e kufizuar. Paralajmërimet e bëra për Recep Tayyip Erdoganin që të mos sulmojë milicët kurdë në veri të Sirisë, presidenti turk bën që t’ i marrë era. BE-së iu desh Turqia tre vjet më parë për të arritur marrëveshjen që të pengojë refugjatët që të mos hyjnë në Greqi. Presidenti Erdogan, kërcënon herë pas here se do të dërgojë më shumë refugjatë në Greqi, nëse BE nuk përmbush premtimet financiare. Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer (Partia Kristiansociale) paralajmëroi ditën e hënë se një valë e re refugjatësh do të nisë rrugën drejt BE nëse gjendja në Siri përshkallëzohet. Prandaj, tha Seehofer, BE duhet të përgatisë një politikë të përbashkët azili dhe migracioni.
Kurdët demostrojnë në Siri kundër ofensivës turke
Rreziqe të reja terrorizmi?
Deri tani milicët kurdë kanë mbajtur nën kontroll të ashtuquajturin “Shtet Islamik” (IS), pasi i mundën ata ushtarakisht. Presidenti turk Erdogan i ka premtuar tani presidentit amerikan Trump që Turqia të marrë tani përsipër përgjegësinë. Por eksperti për Sirinë, Julien Barnes-Dacey nga “European Council on Foreign Relations” nuk beson në këtë gjë. “Duhet të jemi të sinqertë dhe të shohim, se europianët nuk janë të gatshëm të merren me kthimin e luftëtarëve të IS. Amerikanët kanë kohë që ushtrojnë presion mbi vendet europiane që të pranojnë kthimin e qytetarëve të vetë që kanë luftuar për IS. Por europianët refuzojnë,” thotë Barnes Dacey për Deutsche Wellen. Çështja është tani nëse presidenti Erdogan është vërtet në gjendje që të pengojë terroristët e riforcuar të IS. “Ekzistojnë dyshime kur kihet parasysh se ai do merret kryesisht me kurdët,” thotë Julien Barnes-Dacey./dw