Bashkimi Evropian paralajmëroi Serbinë dhe Kosovën se zhvendosja e ambasadave të tyre në Jeruzalem rrezikon anëtarësimin në BE.
Bashkimi Evropian paralajmëroi Serbinë dhe Kosovën të hënën se mund të minojnë shpresat e tyre të anëtarësimit në BE duke i zhvendosur ambasadat e tyre të Izraelit në Jeruzalem.
“Nuk ka asnjë shtet anëtar të BE me një ambasadë në Jeruzalem,” tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano. “Çdo hap diplomatik që mund të vërë në pikëpyetje pozicionin e përbashkët të BE për Jeruzalemin është një shqetësim serioz.”
Kryeministri Avdullah Hoti që po zhvillon një raund të ri bisedimesh në Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, tha se BE qe njoftuar që më parë vetëm në lidhje me aspektet ekonomike të takimit në Shtëpinë e Bardhë, jo për lëvizjet rreth Jeruzalemit.
Ndërkohë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u përpoq në një telefonatë me Presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, të qetësojë frikën në lidhje me vendimin për njohjen e Izraelit të shprehur nga Turqia dhe grupi i vendeve të Lidhjes Arabe.
“Një njohje e tillë nuk do të shkelë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik, miqësor dhe vëllazëror me Turqinë” tha Thaçi pas bisedës.
Në një lëvizje të papritur javën e kaluar, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se Serbia dhe Kosova kishin rënë dakord për të normalizuar lidhjet ekonomike si pjesë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA. Kjo përfshin zhvendosjen nga Beogradi të ambasadës së tij në Jeruzalem dhe njohjen diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.
Presidenti i SHBA Trump deklaroi në Uashington se Serbia është zotuar të hapë një zyrë tregtare në Jeruzalem këtë muaj dhe se do ta zhvendosë ambasadën e saj atje.
Administrata Trump e njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në fund të vitit 2017 dhe zhvendosi ambasadën e SHBA atje në maj 2018./dw