Komisioni Europian ka vendosur të ndërpresë përkohësisht rimbursimet ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Vendimi është marrë “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke saktësuar se kjo është një “masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”. IPARD II (2014-2020) ofroi një mbështetje totale prej 71 milionë eurosh nga të cilat 25 përqind janë financuar nga qeveria shqiptare.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II’- thuhet në reagim.
Në deklaratë, theksohet se hetimi i Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, OLAF, është në vazhdim. Zyra e BE në Tiranë, thekson se pasi të dorëzohet raporti përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e hetimit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.
‘Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.”, thuhet në përgjigje.
Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75% dhe qeverisë shqiptare në masën 25%.
Zbatimi i programit është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR. Programi Ipard II, ka një fond total prej 94 milionë eurosh të ndarë sipas viteve nga 2014 deri në vitin 2020.
Financimet në masën 71 milionë euro nga BE, dhe 23 milionë euro nga shteti shqiptar, janë dhënë për investime në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit, diversifikimin e fermës dhe zhvillimi biznesit dhe asistencë teknike në këto sektorë.
/Argumentum.al