Bashkimi Europian po planifikon marrjen e masave urgjente për të tentuar që të reduktojë rritjen e çmimeve të energjisë dhe po bashkon disa propozime për të reformuar tregun e energjisë elektrike, sipas Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen.
“Rritja e çmimeve të energjisë elektrike tani po ekspozon, për arsye të ndryshme, kufizimet e modelit aktual të tregut tonë të energjisë elektrike,” tha Von der Leyen, e cila drejton organin ekzekutiv të BE-së, në një fjalim të mbajtur të hënën në Samitin Strategjik të Bled në Slloveni.
“Ky model u zhvillua në rrethana krejtësisht të tjera, me qëllime krejtësisht të ndryshme,” shtoi ajo. “Kjo është arsyeja pse ne tani po punojmë për një ndërhyrje emergjente dhe për një reformë strukturore të tregut të energjisë elektrike.”
Rritja e paprecedentë e çmimeve të energjisë, të cilat janë bërë pothuajse 10 herë më të larta se vitin e kaluar, ka nxitur inflacionin dhe ka rritur në mënyrë drastike barrën ekonomike për bizneset dhe familjet që po rikuperohen nga pandemia.
Gjithnjë e më shumë vende anëtare po bëjnë thirrje për vendosjen e një kufiri të çmimit. Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë më 9 shtator.
Pikat e sakta të planit të BE-së për ndërhyrjen në tregun e energjisë janë ende duke u detajuar dhe diplomatët e BE-së thanë se komisioni mund të ofrojë një plan më të hollësishëm brenda kësaj jave.
Një projekt-dokument i brendshëm i BE-së, i publikuar para disa muajsh, tregonte se komisioni shqyrtoi mundësinë e kufizimit të çmimeve të gazit për të shmangur kostot “e papërballueshme” nëse Rusia kufizon ose ndërpret ndjeshëm furnizimet. Ky çmim maksimal për rastet urgjente do të kufizohej në kohëzgjatjen e tij dhe çmimi i tregut duhet të përdorej për sa më shumë kohë që të ishte e mundur.
Me Rusinë që po redukton eksportet e gazit dhe me mbylljen e termocentraleve që po ulin akoma më shumë furnizimet, po rritet presioni mbi liderët e BE-së për të vepruar shpejt ose, përndryshe, për të rrezikuar që të përballen me trazira sociale dhe politike.
Kryeministri çek Petr Fiala po kërkon mbështetje për planin e tij të kufizimit të çmimeve dhe e diskutoi këtë plan me kancelarin gjerman Olaf Scholz në bisedimet dypalëshe në Pragë, të cilat u mbajtën të hënën.
Oferta dhe kërkesa
Scholz tha për gazetarët në një konferencë të përbashkët për shtyp se ai ishte mirënjohës për propozimin çek për vendosjen e një kufiri të çmimit dhe shprehu besimin se BE do të arrinte një marrëveshje shumë shpejt.
“Ne do të vlerësojmë me shumë kujdes të gjitha instrumentet që mund të përdorim për të ulur çmimet e energjisë elektrike,” tha Scholz. “Kjo nuk është diçka që mund të ndodhë rastësisht, duhet të funksionojë në një kuptim teknik. Çmimi i tregut në këto kushte nuk është një reflektim real i ofertës dhe i kërkesës.”
Presidenca çeke do të kërkojë të arrijë një marrëveshje përpara takimit të 9 shtatorit mes ministrave të energjisë në Bruksel, tha Fiala.
“Në përgjithësi, ndoshta mund të them se, për shembull, ndarja e çmimeve të energjisë elektrike nga kostoja e gazit është një nga rrugët që mund të shqyrtojmë,” tha ai për gazetarët.
Zyrtarët çekë po propozojnë kufizimin e çmimeve të gazit natyror që përdoret për prodhimin e energjisë, tha të hënën Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Jozef Sikela.
“Ne mund të hapim çështjen e sasisë së lejuar të emetimeve, siç kanë bërë disa shtete të tjera anëtare në të kaluarën. Ato gjithashtu përbëjnë një pjesë të madhe të çmimit total,” tha Sikela.
“Ne mund të hapim çështjen e rregullave të përgjithshme të tregut, të ndarjes totale të çmimeve,” shtoi ai, ndërsa paralajmëroi se blloku nuk mund të ndërhyjë shumë në treg ose të nxisë spekulimet.
Vendet anëtare të BE-së kanë caktuar tashmë rreth 280 miliardë euro (279 miliardë dollarë) në masa të tilla si ulja e taksave dhe vendosja e subvencioneve për të lehtësuar ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë për bizneset dhe konsumatorët, por kjo ndihmë mund të mos jetë e mjaftueshme për shkak të shkallës së krizës.
Qeveritë kanë filluar gjithashtu që të kufizojnë përdorimin e energjisë, duke ndaluar ndriçimin e jashtëm për ndërtesat në Gjermani dhe duke ulur temperaturat e ngrohjes së brendshme, për të përmbushur objektivin e BE-së që u kërkon vendeve anëtare që të ulin vullnetarisht kërkesën për gaz me 15%.
Kryeministri belg Alexander De Croo tha të hënën se është koha që BE të veprojë.
“Unë mendoj realisht se ne duhet të ndërhyjmë, sepse kostoja e pasigurisë po bëhet me të vërtetë e papërballueshme,” tha De Croo në një konferencë për energjinë në Stavanger, Norvegji. “Besoj se ne duhet të ndërhyjmë dhe vendi im ka kohë që ka mbrojtur idenë e kufizimit të çmimeve në tregun e gazit dhe në tregun e shitjeve me shumicë. Kjo është një zgjidhje afatshkurtër, një ndërhyrje e përkohshme.”
Franca javën e kaluar u tregua skeptike ndaj idesë së vendosjes së kufijve për çmimet e energjisë, duke thënë se situata e saj është e ndryshme nga vendet e tjera europiane falë masave të qeverisë që ofrojnë mbrojtje kundër inflacionit./ Bloomberg