Bashkimi Evropian propozoi të mërkurën ngritjen e një gjykate të posaçme të mbështetur nga OKB-ja, për të hetuar krimet e mundshme të luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë dhe për të përdorur pasuritë e ngrira të Rusisë për të rindërtuar Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se BE-ja do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të marrë “mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare” për gjykatën, duke vazhduar të mbështesë punën e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
“Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, duke përfshirë krimin e saj të agresionit kundër një shteti sovran. Ndërkohë që vazhdojmë të mbështesim Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ne po propozojmë krijimin e një gjykate të posaçme të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht krimet e agresionit rus”, tha Presidentja von der Leyen.
Që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, forcat e tij ushtarake janë akuzuar për abuzime që variojnë nga vrasjet në qytetin Buça, në periferi të Kievit, e deri te sulmet vdekjeprurëse ndaj objekteve civile, duke përfshirë bombardimin e 16 marsit të një teatri në Mariupol. Një hetim i agjencisë Associated Press zbuloi se ka të ngjarë që aty të jenë vrarë rreth 600 njerëz.
Hetime për krime të kryera gjatë luftës në Ukrainë janë duke u zhvilluar në mbarë Evropën dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë ka nisur tashmë hetimet e saj.
Zonja von der Leyen shtoi se blloku 27-vendesh dëshiron ta detyrojë Rusinë të paguajë për shkatërrimet që ka shkaktuar, duke përdorur pasuritë e ngrira të Rusisë.
Ajo vlerësoi se dëmet në Ukrainë kapin shifrën e 600 miliardë eurove.
“Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit. Dhe ne kemi mjetet për ta bërë Rusinë të paguajë. Ne kemi bllokuar 300 miliardë euro nga rezervat e bankës qendrore ruse dhe kemi ngrirë 19 miliardë euro të oligarkëve rusë. Në afat të shkurtër, ne mund të krijojmë me partnerët tanë një strukturë për të menaxhuar këto fonde dhe për t’i investuar ato. Më pas do t’i përdorim të ardhurat për Ukrainën dhe pasi të hiqen sanksionet, këto fonde duhet të përdoren në mënyrë që Rusia të paguajë kompensimin e plotë për dëmet”.
Bashkimi Evropian tha se heqja e kufizimeve mbi pasuritë ruse mund të lidhet me përfundimin e një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, që do të zgjidhte çështjen e kompensimit të dëmeve.