BE refuzon kërkesën e Malit të Zi për ndihmë në shlyerjen e një huaje të marrë në Kinë. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha se BE nuk asiston në ripagimin e huave nga palët e treta.
“Bashkimi Evropian ka krijuar një instrument konkret për të mbështetur projektet kryesore të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo duke theksuar se Plani Ekonomik dhe i Investimeve, i prezantuar në tetor të vitit të kaluar, do të ndihmonte për të marrë fonde nga investitorë të tjerë publikë dhe privatë, përfshirë Banka e Investimeve.
Kërkesa e Malit të Zi vjen nga pamundësia për të shlyer një hua prej 1 miliardë dollar, për një projekt të papërfunduar rrugor që ka dëmtuar financat e vendit. Në 2014, Mali i Zi nënshkroi një marrëveshje me ExIm Bank të Kinës për të financuar 85 për qind të kostos së një rruge, raporton Financial Times. Kina mban një të katërtën e borxhit të Malit të Zi dhe pavarësisht vonesave në ndërtimin e autostradës, kësti i parë pritet të shlyhet në korrik.
Nëse Mali i Zi do të dështonte në pagesë, kushtet e kontratës i japin Kinës të drejtën për t’i marrë Malit të Zi sipërfaqe toke si kolateral. Qeveria e re që mori detyrën në dhjetor duhet të përballet tani edhe me këtë sfidë, përpos asaj të pandemisë që ka dëmtuar rëndë turizmin.
Të njëjtin qëndrim me Pisoneron përsëriti edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano. Sipas tij, hapa të tillë duhet të konsultohen mirë nga autoritetet para se të merret vendim.
Ai tha se, kur bëhet fjalë për veprime nga vendet partnere në marrjen e huave ose hyrjen në marrëdhënie ekonomike me palët e tjera, çdo vend është i lirë të përcaktojë objektivat e tyre të investimit.
“Duke folur posaçërisht për Malin e Zi dhe Kinën, BE ka shqetësime mbi efektet socio-ekonomike dhe financiare të disa prej investimeve të Kinës, të cilat mund të kenë efekte në vend. Ekziston rreziku i çekuilibrave makroekonomikë dhe varësisë nga borxhi. Motivimi për të ndërmarrë hapa të tillë, marrja e kredive të tilla duhet të kontrollohet me autoritetet malazeze”, shtoi Stano dhe kujtoi planin ekonomik dhe të investimeve të BE për Ballkanin Perëndimor për të cilin ai tha se do të mobilizonte deri në 9 miliardë euro për investime në transport, energji, zhvillim të qëndrueshëm dhe vendet e punës./EWB