Ministrat e Jashtëm të BE bënë sot thirrje për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit. Bashkimi Evropian deklaroi se do të ofrojë ndihmë humanitare dhe do të përpiqet të rifillojë procesin e paqes.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias udhëtoi sot për në Rripin e Gazës dhe Izrael si pjesë e iniciativës për të gjetur një zgjidhje paqësore.
Ministri i Jashtëm maltez Evarist Bartolo i tha Reuters se ishte e rëndësishme që Presidenti i SHBA Joe Biden të ishte i hapur për të gjetur një zgjidhje për Lindjen e Mesme sepse “nëse nuk adresojmë shkaqet, (dhuna) do të ndodhë përsëri”.
“Unë nuk mendoj se jam tepër optimist kur them se ajo që ka të ngjarë të dalë sot është një thirrje për një armëpushim” shtoi ai.
“Sapo të arrihet armëpushimi, BE do të duhet të punojë me SHBA, të punojë me Rusinë, të përpiqet për zgjidhjen e situatës” tha më tej Bartolo.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin bëri thirrje për de-përshkallëzim dhe kthimin e qetësisë në rajon.
Hungaria ka refuzuar të mbështesë deklaratën e Bashkimit Europian që bën thirrje për armëpushim midis Izraelit dhe palestinezëve.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto hodhi poshtë deklaratën e BE mbi Izraelin, duke e cilësuar si të njëanshme.
“Unë kam një problem të përgjithshëm me këto deklarata evropiane mbi Izraelin. Këto deklarata nuk ndihmojnë, sidomos jo në rrethanat aktuale, kur tensioni është kaq i lartë,” i tha Szijjarto agjencisë së lajmeve AFP.
Komentet e tij erdhën pasi shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, bëri thirrje për “ndërprerje të menjëhershme të të gjithë dhunës dhe zbatimin e një armëpushimi”. Borrell tha se deklarata ishte mbështetur nga të gjitha vendet anëtare të BE përveç Hungarisë.
Në vitet e fundit Hungaria ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Izraelit në Evropë. Ajo ka bllokuar disa përpjekje të BE për të kritikuar politikat izraelite, të tilla si lëvizja e SHBA për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
/argumentum.al