Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë në prag të dyvjetorit të luftës së saj në Ukrainë.
Kështu, Bashkimi Evropian ka prezantuar paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, një ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Raundi i fundit i sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë e zgjidhi pengesën e fundit ligjore dhe ne po forcojmë më tej masat kufizuese kundër sektorit ushtarak rus dhe atij të mbrojtjes, tha në një deklaratë për shtyp shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Sanksionet synojnë gjithashtu vendet që furnizojnë me pajisje Rusinë.
Diplomatët e lartë nga 27 vendet anëtare të BE ranë dakord për sanksionet në Bruksel, por miratimi përfundimtar nga kryeqytetet e BE-së ende mungonte.
Pengesa e fundit u tejkalua sot.
Paketa e 13-të e sanksioneve e bllokut evropian, që lidhet me pushtimin rus të Ukrainës, shënjestron industrinë e mbrojtjes së Rusisë. Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirje të aseteve dhe kufizime të lëvizjes për 106 individë dhe 88 organizata, duke bërë që numri i përgjithshëm i njerëzve dhe grupeve të sanksionuara nga blloku të arrijë në 2.000. Blloku tha se ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe organizatave për shkak të “minimit apo kërcënimit të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”.
Në listën e të sanksionuarve janë përfshirë dhjetëra zyrtarë rusë, përfshirë “anëtarë të gjyqësorit, politikanë lokalë dhe persona përgjegjës për dëbimin e paligjshëm dhe riedukimin ushtarak të fëmijëve ukrainas”, u tha në njoftim.
BE-ja po ashtu ka vendosur kufizime ndaj kompanive nga Serbia, India, Shri Lanka, Kina, Kazakistani, Tajvanda dhe Turqia, nën dyshimet se kanë eksportuar produkte në Rusi, që kanë përdorim të dyfishtë, dhe për “mbështetjen e ushtrisë ruse”.
Kufizimet po ashtu janë zgjeruar edhe ndaj komponentëve që përdoren për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve.
Emrat e kompanive do të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së brenda disa ditësh.
Në përgjigje të lëvizjes së BE-së, Ministria e Jashtme e Rusisë njoftoi më 23 shkurt se do të zgjeronte në mënyrë drastike listën e politikanëve dhe zyrtarëve të bllokut të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi.
“BE-ja po vazhdon përpjekjet e saj të kota për t’i bërë presion Rusisë përmes masave kufizuese të njëanshme”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate.
SHBA me sanksione të reja kundër Rusisë, vë në shënjestër mbi 500 individë dhe subjekte
Edhe Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten vendosjen e sanksioneve të reja gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, në prag të përvjetorit të dytë të sulmit të Moskës kundër Kievit. Masat e reja, që vijnë në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të rritur trysninë ndaj Kremlinit, vënë në shënjestër mbi 500 individë dhe subjekte.
Masat synojnë të godasin sistemin kombëtar rus të pagesave me kartela të njohur si ‘Mir’, institucionet financiare ruse, bazën e saj industriale ushtarake, individët dhe kompanitë që kanë shmangur sanksionet amerikane kundër Rusisë, sektorin e energjisë dhe fusha të tjera.
Sanksionet përfshijnë edhe zyrtarë që kanë luajtur rol në burgosjen dhe vdekjen e udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, i cili vdiq javën që shkoi në një burg në Arktik.
Departamenti amerikan i Shtetit vuri sanksione ndaj tre zyrtarëve të Shërbimit Federal të Burgjeve në Rusi të cilët i akuzoi se kanë lidhje me vdekjen e opozitarit Navanly, duke përfshirë zëvendësdrejtorin e këtij institucioni, i cili thuhet se udhëzoi stafin e burgut të ushtronte trajtim të ashpër ndaj kritikut të Kremlinit.
Vendimi synon të mbajë Rusinë përgjegjëse për luftën në Ukrainë dhe vdekjen në burg të kritikut të njohur të Kremlinit, tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë. Ai shtoi se Uashingtoni duhet të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, e cila po përballet me mungesa të mëdha municionesh, ndërsa ndihma ushtarake amerikane është bllokuar prej muajsh në Kongres.
“Sanksionet synojnë që Putini të pagujë një çmim edhe më të lartë për agresionin e tij jashtë vendit dhe shtypjen brenda vendit”, tha Presidenti Biden.
Departamenti amerikan i Thesari vuri në shënjestër rreth 300 individë dhe subjekte, Departamenti amerikan i Shtetit goditi mbi 250, ndërsa Departamenti i Tregtisë shtoi mbi 90 kompani në listën e kompanive të sanksionuara.
Vendimi zgjeron listën e sanksioneve nga viti i kaluar, kur Shtetet e Bashkaura vendosën masa ndaj mbi 200 individëve dhe subjekteve, ndërsa Departamenti i Tregtisë vuri në shënjestër 90 kompani në përvjetorin e parë të luftës.
Sanksione e së premtes nga Shtetet e Bashkuara vijnë në koordinim me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Britanisë. Këto janë të fundit nga mijëra masat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aletët e tyre, pas sulmit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt 2022, lufta që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkatërruar qytete.
Ekonomia ruse, e përqëndruar në eksporte, është treguar më e qëndrueshme ndaj sanksioneve të pashembullta sesa ishte ishte parashikuar.
Administrata e Presidentit Biden ka shteruar paratë e miratuara më parë për Ukrainën dhe një kërkesë për fonde shtesë është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.
“Është jetike që Kongresi të lëvizë dhe të bashkohet me aleatët tanë në mbarë botën, për t’i dhënë Ukrainës mjetet për të mbrojtur veten dhe lirinë e saj kundër sulmit barbar të Putinit”, tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen.
Lufta Rusi-Ukrainë do të hyjë në vitin e saj të tretë këtë të shtunë.
Që nga 24 shkurt 2022, lufta ka marrë jetën e të paktën 10,582 civilëve, duke përfshirë 5,017 burra, 3,093 gra dhe 587 fëmijë, sipas shifrave të fundit të OKB-së të publikuara këtë javë.
Numri i të plagosurve është të paktën 19,875, duke përfshirë 6,524 burra, 4,546 gra dhe 1,298 fëmijë, njoftoi Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se pothuajse 6.5 milionë ukrainas kanë kërkuar strehim në mbarë botën, me rreth 3.7 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit.
/Argumentum.al