Presidenti Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Ata vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” dhe u përkulën në nderim dhe respekt të sakrificës së dëshmorëve në 79-vjetorin e Çlirimit të vendit.
Kreu i Shtetit iu përcolli shqiptarëve një mesazh për 29 Nëntorin.
“Gëzuar festën e Çlirimit Shqipëri. Nderim përjetë atyre që me guximin, trimërinë dhe sakrificën e tyre sublime, na dhuruan lirinë”.
Zëvendësshefja në detyrë e Misionit të SHBA dhe Këshilltarja e Lartë për Zhvillim e USAID-it, Mischere Kawas, përfaqësoi Ambasadën e SHBA sot në një ceremoni përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
“Kjo ceremoni nderon heronjtë e Shqipërisë që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit 79 vite më parë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri”, thekson Ambasada e SHBA-së.
Shqiptarët kremtojnë sot 79-vjetorin e Çlirimit të Atdheut, njëkohësisht ditë kujtese e sakrificës sublime të mijëra të rinjve e të rejave që ranë heroikisht në emër të lirisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria ishte e pushtuar, fillimisht nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga forcat gjermane.
Pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, qyteti i Shkodrës ishte i fundit që u çlirua.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u radhitën në krah të koalicionit antifashist dhe zhvilluan luftë çlirimtare.
Përvjetorët e Çlirimit shënohen me homazhe tek përmendorja “Nënë Shqipëri” pranë Varrezave të Dëshmorëve.