Mijëra njerëz nga e gjithë bota filluan Marshin treditor të Paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë për të përkujtuar 24-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).
Marshi filloi sot nga qyteza Nezuk pranë qytetit të Tuzllës.
Hamdija Fejziç, kryetar i Bordit të Organizatave për Përkujtimin e Srebrenicës, tha për AA se Marshi i Paqes është bërë një ngjarje ndërkombëtare me mijëra pjesëmarrës nga e gjithë bota.
Fejziç shtoi se më shumë se 5.000 njerëz marrin pjesë në marshim çdo vit.
Ndërkohë, një grup njerëzish nga Turqia janë duke marrë pjesë gjithashtu në marsh.
Më shumë se 5.000 pjesëmarrës, të cilët u mblodhën që nga orët e hershme të mëngjesit, do të mbulojnë një distancë të përgjithshme prej rreth 100 kilometrash. Ecja pritet të përfundojë në varrezën në Potoçari në veriperëndim të Srebrenicës, ku do të mbahet lutja funerale dhe ceremonia e varrimit për 33 viktima të genocidit.
Pjesëmarrësit do të përshkojnë rreth 35 kilometra çdo ditë për të arritur në Potoçari në kuadër të Marshit të Paqes që organizohet për herë të trembëdhjetë dhe do të kalojnë netët në zona të caktuara pyjore.
Gjatë ecjes së gjatë, pjesëmarrësve do t’u jepen edhe detaje rreth gjenocidit dhe do të rrëfehen kujtimet e të mbijetuarve që kaluan nëpër rrugën që u bë e njohur si “Rruga e Vdekjes”, që shtrihet midis Srebrenicës dhe Tuzllës.
Që nga viti 2005, mijëra njerëz kanë marrë pjesë në Marshin e Paqes (Marsh Mira), i cili realizohet në të njëjtën rrugë pyjore që u përdor nga boshnjakët gjatë ikjes nga genocidi i Srebrenicës në vitin 1995.
Më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurtë” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.
Srebrenica u rrethua nga forcat serbe që po përpiqeshin të zhvatnin territore nga muslimanët dhe kroatët boshnjakë për të formuar shtetin e tyre.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shpallur Srebrenicën si “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili tani përballet me akuzat për gjenocid në Hagë, kaluan në zonën e OKB-së.
Trupat holandeze nuk arritën të ndërmerrin masa kur forcat serbe pushtuan zonën dhe vranë 2.000 meshkuj vetëm më 11 korrik. Rreth 15.000 persona të tjerë ikën nga Srebrenica në malet përreth, por trupat serbe vranë 6.000 prej tyre në pyje.
Gjithsej 6.610 viktima gjenden të varrosura në Memorialin e Gjenocidit të Srebrenicës në Potoçari, ku në ceremoninë e së mërkurës do të varrosen edhe 33 viktima të identifikuara./AA